NAPOLI, 15 qershor 2013 – Të enjten në mbrëmje një vajzë shqiptare, e quajtur Xhuli Toska, 24-vjeçe, u gjet brenda një fuçie, e mbështjellë me një qese plehrash, me plagë të rënda në kokë, në qendër të Napolit.
Vajza ka qenë e keqtrajtuar, e goditur në kokë, bark dhe fytyrë.
Mësohet se shqiptarja fillimisht është rrahur në mënyrë barbare, në sy të vajzës së saj 4-vjeçare dhe të djalit 3-vjeçar të një vajze tjetër shqiptare, e cila është dhe ajo e përfshirë në këtë ngjarje.
Ajo po lufton mes jetës dhe vdekjes në spitalin Loreto Mare në Napoli.
Policia ka arrestuar Emerson D'Esposito, 28-vjeç, i lindur në Brazil, por i adoptuar nga një familje italiane, pjesë e një grupi prej përkrahësve ekstremë të Napolit.
Sipas njoftimeve të para të policisë italiane, D'Esposito ka qenë i dashuri i shoqes së vajzës shqiptare.
Toska ka kundërshtuar largimin e mikes së saj, e cila kishte vendosur të shkonte për të jetuar me të dashurin e saj.
Kjo gjë ka shkaktuar zemërimin e D'Espositos, i cili u vu në prangat e policisë, në vilën e gjyshërve të tij në krahinën e Beneventos, dhe pranoi se ishte pikërisht ai personi që kishte kryer krimin.





