SHKODER, 22 shkurt 2013–  Masakrohet me leva drejtori i Albpostës në Shkodër, Shkëlzen Berisha. 52-vjeçari ishte duke shkuar në banesën e tij, kur në katin e dytë të pallatit është sulmuar nga dy persona ende të paidentifikuar. Pas debateve të ashpra, dy agresorët e kanë goditur me levë në kokë dhe në trup Berishën duke e plagosur rëndë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në zonën e "Parrucës". I plagosuri është dërguar në spitalin e qytetit verior, ndërsa blutë dhe prokuroria po hetojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe identifikimin e vënien në pranga të autorëve. Sipas hetuesve të çështjes, dyshohet që ngjarja të ketë ndodhur për shkak të detyrës ose për shkak të ndonjë konflikti personal ose familjar. 

NGJARJA

Rreth orës 16:00, Shkëlzen Berisha (baba i një vajze) ka dalë nga dera e pasme e Albpostës nga ku hyjnë dhe dalin personeli i këtij institucioni dhe është nisur drejt pallatit ku banon, vetëm pak metra larg Albpostës. Pallati me hyrje nga pjesa e pasme nuk lë shumë mundësi fushë-pamje. Drejtori i postës në momentin që ka hyrë në pallat, pikërisht në katin e dytë është sulmuar nga dy persona. Autorët e kanë qëlluar disa herë me leva dhe janë larguar me të shpejtë. I dëmtuari është shtrirë në sheshpushimin e katit të dytë i mbuluar nga gjaku. Komshinjtë e tij janë tmerruar kur e kanë parë, ndaj menjëherë kanë sinjalizuar familjen e viktimës dhe policinë. 52-vjeçari është dërguar urgjentisht në spital dhe ka hyrë direkt në sallë të operacionit. Mjekë të këtij spitali mbrëmë bënë me dije se i plagosuri ka marrë plagë të rënda në kokë dhe në shpatull, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 
 

HETIMI

Forca të shumta policore kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet. Mësohet se në lidhje me ngjarjen janë marrë në pyetje punonjës të Albpostës, fqinjët dhe familjarët e 52-vjeçarit. Ndërkaq, ekspertët kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të disa institucioneve si: Albpostës, Telekomit dhe disa njësive të shërbimeve private. Drejtues të policisë sqarojnë se marrja e informacioneve nga kamerat e sigurisë do të jetë e vështirë, pasi pjesa e pallatit ku ka ndodhur ngjarja është në zonën pas ndërtesave dhe nuk kapen nga kamerat. Aq më shumë që dyshohet se autorët e krimit kanë lëvizur nga rrugicat pas pallatit. Gjithashtu, janë marrë në pyetje edhe rojet e këtyre institucioneve. Nga hetimet e deritanishme, mësohet se autorët kanë debatuar me Shkëlzen Berishën dhe ky fakt sipas bluve lë të kuptohet se ata e kanë njohur njëri-tjetrin. Pritet që i 52-vjeçari i plagosur të përmirësohet nga gjendja shëndetësore që të hedhë dritë mbi ngjarjen.