Personi në foto 39-vjeçari Fation Janina, autori i vrasjes së fqinjit të tij 82-vjeçar, Paulin Gila në lagjen 16 të qytetit të Durrësit.

Policia e Durrësit ka siguruar edhe video nga kamerat e sigurisë në rrugë, të cilat e kanë fiksuar 39-vjeçarin duke dalë nga pallati, pasi kishte kryer vrasjen.

82-vjeçari u godit për vdekje me thikë dhe çekiç nga Fation Janina pasditen e datës 30 Dhjetor. 

Përmes kamerave të sigurisë policia zbuloi se autori ka qenë i vetmi person që hyn në pallat para ngjarjes dhe del disa orë pasi e ka kryer atë.

Në këto kushte hetuesit verifikuan se cili prej fqinjëve të viktimës, Paulin Gila, mund të fshihej pas këtij krimi, në bazë dhe të dhënave të përftuara në rrugë operative.

Pas arrestimit të tij, vetë 39-vjeçari ka rrëfyer krimin e rëndë, duke thënë se shkak ishte bërë një borxh në vlerën e 20 mijë lekëve që viktima i kishte atij dhe nuk ia kthente.

Autori Fation Janina prej kohësh jetonte i vetëm dhe në zonë njihej si person që konsumonte alkool dhe drogë. I vetëm jetonte dhe viktima, Paulin Gila, baba i 3 fëmijëve, të cilët prej kohësh ndodhen në emigrim në Itali.