Policia e Durrësit, pas kontrolleve të shumta dhe ndërmjetësimit me vëllain e autorit të dyshuar të vrasjes së 82-vjeçarit, arrestoi 39-vjeçarin Fation Janina.
Ngjarja e rëndë u regjistrua ditën e hënë, në lagjen nr. 16.
I arrestuari akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
“Ky shtetas, dyshohet se më datë 30.12.2024, ka vrarë me thikë dhe me çekiç, për motive të dobëta, 82-vjeçarin P. G., në banesën e tij, në lagjen nr.16. Pas kryerjes së krimit, autori ka mbyllur me çelës derën e banesës së viktimës dhe ka fshehur mjetet e krimit, të cilat u gjetën në banesën e autorit dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes”,– njofton policia e Durrësit.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.