DIVJAKE-Tetë persona, midis të cilëve tre punonjës të Inspektoratit të Pyjeve dhe Kullotave iu është nisur procedim penal për prerje të paligjshme dhe për shpërdorim detyre. Sipas policisë së Lushnjës, për shpërdorim detyre janë vënë nën hetim: A. Dingozi, 44 vjeç, banues në Divjakë, me detyrë  përgjegjës i sektorit të Parkut Kombëtar në Divjakë, B. Xhima, 61-vjeç banues në Lushnjë, me detyrën e Vrojtuesit dhe P. Krakulli, 54 vjeç, banues në Lushnjë, me detyrën e Inspektorit të Pyjeve dhe Kullotave në sektorin e zonave të mbrojtura në Divjakë. 

Çështja kaloi në gjykim pasi nga një kontroll i bërë në zonën e Divjakës, rezultoi se rreth 15 pisha ishin të prera në vendin e quajtur “Godulla e Kularit”. Ndërkohë që tre përgjegjësit të cilët duhet të raportonin dëmin nuk e kanë bërë. Sipas hetimeve, rezulton se ata kanë mbajtur vetëm proces verbalin e konstatimit e prerjeve, por nuk kane vazhduar procedurat e mëtejshme me kallëzim në organet përkatëse.

Pas hetimeve policia ka arritur të identifikojë dhe autorët e prerjes së durove. Ata janë; I.  Janko, 40 vjec, M. Janko, 40 vjeç, T. Xhavo, 37 vjeç, M. Kaja, 40 vjeç dhe A. Shallapi 49 vjeç, të gjithë banues në Divjakë. Policia ka gjetur pishat e prera në lokalet e pesonave që tashmë janë në procedim penal.