Gjashtë muaj nga ngjarja e ndodhur në një lokal tallavaje në fshatin Dishnicë të Korçës, policia ka hedhur dritë mbi fakte të reja dhe ka arerstuar autorin e dytë të saj. Më 29 gusht të 2016-s, një i ri u masakrua dhe u tërhoq zvarrë nga pronari i lokalit, pas një sherri banal.

Ditën e sotme, policia ka bërë të mundur ndalimin e bashkëautorit të dytë në këtë ngjarje, që ishte në kërkim, i cili akuzohet për “Plagosje e rëndë me dashje, me pasojë vdekje”. Ai është Llazar Dine, 35 vjeç, banues në fshatin Dërsnik-Korçë.

Në vijim të hetimeve dhe dokumentimit me prova ligjore të kësaj ngjarjeje, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë: “Arrest në burg”.

Policia sqaron se ai rezulton bashkëautor me pronarin e lokalit shtetasin Olsi Zyberi, i cili u arrestua menjëherë pasi ka ndodhur ngjarja. Të dy këta shtetas, janë konfliktuar për motive të dobëta me 23-vjeçarin M.O, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka gjetur vdekjen në Spitalin e Traumës në Tiranë.

NGJARJA
Më 29 gusht të 2016-s, 23-vjeçari Marsel Osmani nga fshati Dishnicë, sipas policisë, kishte shkuar në lokalin me muzikë tallava të Olsi Zyberit dhe u dhunua barbarisht nga ai. Zyberi akuzohet se e ka rrahur barbarisht të riun me shkop, duke e qëlluar me thikë pas koke dhe më pas e ka lidhur pas makinës duke e tërhequr zvarrë dhe e ka hedhur në kanal.

Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive banale mes të riut dhe Zyberit. Për ngjarjen u morën në pyetje edhe të tjerë persona që ndodheshin në lokal, pasi dyshohet se edhe ata mund të ishin të përfshirë në sherr. Motivet e ngjarjes mendohet të jenë për shkak të konsumit të alkoolit, por nuk përjashtohet edhe dyshimi që shkak të ketë qenë ndonjë femër.