Nisja e vitit të ri arsimor dhe akademik, ka nisur me kontrollin e masave antizjarr në godinat arsimore të qytetit të Durrësit nga ana e shërbimit zjarrfikës të qytetit.

Godinat shkollore të ndërtuara para viteve ’90, duke nisur nga kopshtet e fëmijëve të vegjël, shkollat dhe konviktet, kanë sistem elektrik të amortizuar që mund të bëhet shkak për zjarr. Ndërsa përveç shkollës “Naim Frashëri” në Durrës, asnjë shkollë tjetër nuk ka shkallë evakuimi në rast zjarri brenda godinës.

Vladimir Zhupa, inspektor i kontrollit të masave antizjarr,  tha për “DurrësLajm” se kontrollet në institucionet arsimore kanë si qëllim rritjen e parametrave të sigurisë nga ana e drejtuesve të shkollave me pajisjen e shuarësve të zjarrit që janë detyrim, por edhe të parametrave të sigurisë për të gjithë nxënësit. 

Disa prej kopshteve të fëmijëve në Durrës, por edhe shkollat nëntëvjeçare e të mesme, së bashku me konviktin e shkollës profesionale, janë konsideruar tepër problematike për shkak se jo vetëm që mungojnë shuarëset e zjarrit dhe shkallët e evakuuimit, por sistemi elektrik i tyre tërësisht i amortizuar nga vitet, është premisë për zjarre të ndryshme. E kundërta ndodh me objektet arsimore private.

Shkollat dhe kopshtet janë në varësi të pushetit lokal. Është detyrë e bashkisë të investojë për të rritur parametrat e sigurisë në këto objekte arsimore ku qëndrojnë fëmijët. Në rast të zjarrit në kopshte apo shkolla, në mungesë të masave antizjarr, pasojat mund të jenë fatale dhe dramatike për vogëlushët apo stafet e edukatorëve.

K.H.