Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, ka zhvilluar sot një mbledhje me task-forcën antiCOVID dhe Shtabin e Emergjencave.
Në mbledhje është theksuar nevoja dhe domosdoshmëria për zbatimin e masave antiCovid nga bizneset apo qytetarët. U theksua se do të ketë kontrolle të vazhdueshme për të monitoruar zbatimin e tyre. Në raste shkelje do të ketë gjoba.
Gjithashtu, kryebashkiaku Arbana në një postim në Facebook, vë theksin në dy drejtime: Kontrollet për monitorimin e zbatimit të masave antiCovid dhe përgjegjshmërinë qytetare për të penguar përhapjen e koronavirusit.
“Rregullat nuk zbatohen nga frika, por nga domosdoshmëria dhe ndërgjegjësimi. Për paradalimin e përhapjes së #Covid_19 Bashkia e Shijakut në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Policinë e Rendit do të bëjnë KONTROLLE TË VAZHDUESHME për të monitoruar nëse zbatohen rregullat e vendosura në këtë situatë pandemie. Kontrolle do të ketë kudo dhe nëse ka shkelje nga biznese apo qytetarë do të merren masa duke nisur nga gjobat e deri në masa të tjera në bazë të kodit penal.
Ju lutem, zbatoni rregullat e mëposhtme:
Vendosni maskën mbrojtëse.
Qëndroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metra.
Lani shpesh duart.
Dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni.
Shmangni grumbullimet me shumë njerëz.
Bizneset dhe institucionet të respektojnë protokollet e përcaktuara
Të mbrojmë shëndetin, të mbrojmë veten dhe familjen!” – shkruan Arbana.





