Autoriteti i Mediave Audio-Vizive ndalon që në studiot e televizioneve të ketë më shumë se dy të pranishëm. Në një njoftim për mediat, AMA gjithashtu ndalon të jenë të pranishëm në studio, publiku i përqëndruar. AMA njëkohësisht kërkon nga redaksitë e lajmeve që të respektojnë distancën.
NJOFTIMI I PLOTE:
Njoftim për mediat audiovizive mbi mbrojtjen e personelit brenda mjediseve të redaksive dhe studiove Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, duke ndjekur situatën me përpjekjet që po bëhen për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, kujton subjektet audiovizive që të kujdesen me përgjegjësi maksimale për personelin që angazhojnë brenda mjediseve të redaksive e studiove të regjistrimit dhe transmetimit.
Në këtë periudhë të ndalohet prezenca e publikut të përqëndruar në programe televizive direkte ose të regjistruara.
Në formatet informative apo forum, të mos ketë më shumë se 2 persona të pranishëm, duke respektuar distancat apo standardet që janë përfshirë dhe në udhëzimet që ka bërë publike së fundmi Ministria e Shëndetësisë, për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19. Shtimi i lidhjeve direkte, në distancë, mënjanon rreziqet e transmetimit të virusit.





