Turizmi është një sektor me një rëndësi të jashtëzakonshme për vendin dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë çdo masë që të mbështesë një sezon turistik, që sipas të gjithë treguesve, pas 10 milionë turistëve të një viti më parë do të shënojë një rekord të ri në 2024-n.
Në masat e marra nga MSHMS për garantimin e një sezoni turistik të sigurt dhe të qetë, krahas dezinsektimit për mushkonja dhe insektet e tjera, proces i cili u zhvillua në 25% më shumë territor se një vit më parë dhe do të vijojë, shumë të rëndësishme janë edhe masat për respektim të kushteve higjieno-sanitare nga njësitë akomoduese dhe ato të ofrimit të shërbimeve, baret, restorantet apo pishinat.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga kreu i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor të Tiranës, Klinton Leka ishte në Golem, Kavajë ku inspektuan përmbushjen e masave higjieno-sanitare nga subjektet në fushën e hoteleri-turizëm, me fokus edhe pishinat.
“Kemi përfunduar fazën e parë të dezinsektimit me lënde biocide miqësore me mjedisin në pellgje, kanale, puseta duke mundësuar shmangien e krijimit të mushkonjave dhe tani vijmë tek faza tjetër që është inspektimi i strukturave akomoduese për respektimin e masave higjeno-sanitare, i rëndësishëm për të garantuar një sezon turistik të qetë, të sigurt, të shëndetshëm, por dhe argëtues pse jo”, u shpreh Koçiu duke shtuar se do ketë rritje të kontrolleve nga inspektorët shëndetësorë.
Fokusi i ISHSH-së është monitorimi në mënyrë periodike dhe rigoroze i hoteleve apo strukturat e tjera, me qëllim parandalimin e infeksioneve që mund të përhapen përmes pishinave të ndotura.
“E rëndësishme për ju si biznes është që të na shihni si partner në mënyrë që së bashku të ofrojmë shërbim të sigurt për pushuesit dhe turistët”, nënvizoi ajo gjatë një ndalese në një subjekt akomodues.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu theksoi se “ne këshillojmë më qëllim të kemi respektim të masave higjieno-sanitare. Duhet gjithashtu të garantojmë që do respektohen standardet e ngritura kudo në çdo subjekt që ofrohet shërbim. Pikërisht për këtë është fokusi për të pasur një kontroll dhe monitorim më të shtuar me qëllim që të garantojmë që çdo kush shërbehet ashtu siç duhet”.
Gjatë inspektimeve dhe riinspektimeve nga ISHSH, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet respektimit të normave hidroteknike dhe higjieno-sanitare për pishinat, si dhe respektimi i numrit të frekuentuesve.
Për të pasuar frekuentim cilësor dhe te sigurt, pishinat duhet të sigurojnë zbatimin e kërkesave higjieno-sanitare dhe mjedisore, të sigurojnë pastrimin e përditshëm të gjithë kompleksit të pishinës, dezinsektimin e rregullt të ambientit për rreth, kryerjen e ekzaminimet fiziko-kimike të ujit të pishinave, duhet të zbatojnë rregulloren mbi respektimin i kufizimeve për nivelet e thellësisë, të kenë vëzhguesit dhe ndihmën parë për minimizim të incidenteve, si dhe një pikë të ndihmës së shpejtë.