TIRANË, 23 prill 2013 – Ministria e Arsimit dhe e Shkencës (MASH) mbrohet nga sulmet e opozitës nëpërmjet një deklarate me gabime drejtshkrimore (me 10 “ë” të ngrëna, shkrimin e pasaktë të trajtës së shkurtër të përemrit, 4 presje “parazitare”, shkurtesa që nuk shquhen si e do natyra e shqipes).

 Agjencia e lajmeve “Dyrrah” është detyruar të bëjë ndreqjen e “mëkateve” gjuhësore kur citon një drejtore në dikaster. 

Edlira Late, drejtore e përgjithshme e arsimit të lartë, ka deklaruar se “PS-ja sot vazhdoi të sulmojë, të nxijë e të mohojë sistemin e arsimit të lartë në vend”.

Sipas Lates, “zhvillimi i arsimit të lartë dhe liberalizimi i tij, i ka dhënë sot çdo të reje dhe të riu mundësinë që të realizojë ëndrrën për studime universitare”.

“PS-ja e fyen, e përbuz dhe e nxin këtë ëndërr”.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e shqetësuar se “PS-ja vazhdon të kërcënojë të rinjtë shqiptarë se diplomat janë të pavlefshme”.

Late thotë se “sot universitetet publike rajonale në Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Elbasan, Korçë, mbulojnë rreth 50 për qind të studentëve të universiteteve publike të Shqipërisë”.

Për MASH-in, “profesorati i këtyre universiteteve është i kualifikuar në universitetet më të mira, brenda dhe jashtë vendit”.

Madje, zonja Late bën dhe një figurë letrare, duke zëvendësuar mbiemrin “rozë” me “mavi”:

“Me deklaratën e sotme selia mavi goditi drejtpërdrejt punën dhe përkushtimin e pedagogëve të universiteteve”.

MASHI-i hedh poshtë  dhe akuzën e opozitës “ për mosrritjen e pagave të pedagogëve, kur fakti është se pagat e pedagogëve janë rritur nga 25-69 për qind, krahasuar me vitin 2005”.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/