Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg ndaj stomatologes Olesia Duka, e akuzuar për mashtrim ndaj disa biznesmenëve.
Prokuroria kërkoi masën arrest me burg për shkak të rrezikshmërisë së lartë që ka autorja 38-vjeçare.
Sipas organit të akuzës, veprimtaria e stomatologes ka mospërputhje, pasi ajo ka ushtruar mashtrim me shuma të mëdha prej miliona lekësh ndaj disa personave, duke u bazuar gjithashtu edhe në përgjimet telefonike.
Kërkesë kjo që u kundërshtua nga avokati mbrojtës i Dukës, sipas të cilit, mungon akt-ekspertimi i shumës që pretendohet nga Prokuroria. Avokati tha që Prokuroria duhej të bënte një hetim për të parë ku qëndronte mashtrimi.
Ndërsa e pandehura ka thënë para togave të zeza se kallëzimi që është bërë nga biznesmeni durrsak I.H. nuk qëndron. Ajo pretendon se vetë shtetasi I.H. i detyrohet kompanisë së saj 137 mijë euro.
38-vjeçarja, stomatologe e njohur në Tiranë, akuzohet se i ka marrë një biznesmeni durrsak shumën prej 900 mijë eurosh, përmes gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit që nga njohja mes tyre në nëntor 2016. Prokuroria ka dyshime se në të njëjtën mënyrë janë mashtruar edhe disa persona të tjerë. Me kërkesë të prokurorisë, gjykata urdhëroi sekuestrim edhe ndaj disa pasurive në Tiranë të stomatologes, por edhe të familjarëve të saj, që kapin një vlerë prej 300 mijë eurosh, ose sa 1/3 e detyrimit.





