TIRANE, 18 dhjetor 2013  –  Prokuroria  e Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe me mbështetjen e Policisë së Shtetit, ka arritur të zbuloje një skemë  mashtruese me rimbursimin e TVSH-së, e cila arrin në vlerën e rreth 26 milionë dollarëve. 
Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e “arrestit me burg”, për disa persona, administratorë dhe punonjës të disa kompanive që ushtronin aktivitetin në mënyrë të jashtëligjshme në fushën e grumbullimit të mbetjeve metalike. 
Personat e arrestuar dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar subjekte tatimorë fiktivë, nëpërmjet të cilëve deklaronin veprime financiare, dhe kanë arritur të përfitojnë në mënyrë të paligjshme rimbursimin e TVSH-së nga ana e administratës tatimore. 

Personat e arrestuar janë administratorë të kompanive të  Nivelit II, të cilët operojnë në veprimtarinë e mbledhjes dhe përpunimit të skrapit. Këta persona dyshohet se kanë krijuar në mënyrë fiktive subjekte të konsideruara të Nivelit III, nëpërmjet të cilave deklaronin se kishin kryer aktivitet shitje-blerje. 

Hetimi provoi se subjektet e Nivelit III janë, në përgjithësi, në emër të personave që nuk kanë mundësi reale për krijimin e aktiviteteve tregtare dhe se regjistrimi këtyre subjekteve në organet tatimore është realizuar nga ana e administratorëve të subjekteve të Nivelit II. 

Për këtë arsye, gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë vendosi masën e “arrestit me burg”, për disa persona, të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimi i dokumenteve”; “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, dhe “Mashtrimi”: 
1. GJERGJ LAMI ,i vitlindjes 1980, Administrator i subjektit “AJSI”. 
2. ILIR ALLMETA, datëlindja 1982, Administrator i subjekteve “ALEKSI &AJSI” dhe “ALLMETA” . 
3. JOSIF KADRIA, i vitlindjes 1960 
4. RAMIZ VEIZAJ, datelindja 1963, administrator i subjektit ‘Jurkli-2012”. 
5. KADRI RAMA, i vitlindjes 1962, administrator i subjekteve “VAKUM” dhe “LU-KA-GRUP”. 
6. ROBERT HOXHA, i vitlindjes 1966 , administrator i subjektit ” XHOIS GRUP” . 
7. AVNI HOXHA, , i vitlindjes 1958, Administrator i subjektit “HOXHA” 
8. HAVA MUCOLLARI, i vitlindjes 1968, Ekonomiste e disa subjekteve ( Arrest shtepie) 

/balkanweb/