Gjykata e Durrësit ka vendosur që të procedojë stomatologen Olesia Duka me gjykim të shkurtuar, pas kërkesës së bërë nga vetë e pandehura.
Duka bëri bujë në media vitin e kaluar, kur u akuzua nga biznesmenë të ndryshëm në Durrës dhe Tiranë për marrjen e shumave të mëdha në euro me anë të mashtrimit, para që nuk dihet se ku kanë përfunduar.
Në seancën e ditës së sotme, zhvilluar në Gjykatën e Durrësit, pa praninë e të pandehurës, viktimat e mashtrimit në aktivitetin 3-vjecar të saj, kanë shpërthyer në lotë, akuza dhe thirrje për organet ligjore që të zbardhin ku ndodhen lekët qe Duka ka përfituar.
Sipas Prokurorit të çështjes, Madrid Kullolli, Olesia Duka i ka pranuar akuzat e ngritura, por jo shumat që pretendojnë palët, ndërsa ka kërkuar gjykim të shkurtuar për të pandehurën.
Stomatologia 38- vjeçare, Olesia Duka, dyshohet të ketë përvetësuar deri në 2 milionë euro nga biznesmenë të ndryshëm nga Durrësi e Tirana.
Personi që e denoncoi në zyrat e Antikrimit Ekonomik dhe në Prokurori është I.H., pronari i një pike këmbimi valutor në Durrës, i cili pretendon se Duka i ka marrë plot 900 mijë euro përmes mashtrimit. Edhe pse bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme, i dëmtuari rezulton t’i ketë dorëzuar dorazi shumën e parave stomatologes nga Tirana, të cilat i kishte futur në çantë. Në të njëjtën mënyrë kanë vepruar edhe të paktën 5 biznesmenë të tjerë, që kanë depozituar denoncimet e tyre menjëherë pas arrestimit të Olesia Dukës.
Të gjithë të dëmtuarit kanë shmangur në mënyrë të dyshimtë veprimet bankare, duke preferuar që paratë t’ia dorëzonin dorazi, edhe pse bëhej fjalë për shuma mjaft të mëdha.





