Gjykata e Tiranës ka caktuar arrest me burg për noteren Rezarta Koçi, e arrestuar për mashtrim dhe shpërdorim të detyrës. Gjyqtari Sokol Tona ka pranuar kërkesën e Prokurorisë duke e lënë në burg Koçin të paktën deri në përfundim të hetimit.

Noterja u arrestua nga policia pasi ajo u vidhte paratë klientëve q  zgjidhnin atë për të bërë kontratat noteriale të shit-blerjeve të banesave apo bizneseve të tjera.

Hetimet ndaj saj kanë nisur pas 4 kallëzimeve që ishin bërë nga qytetarë te ndryshëm ndaj noteres, por sipas informacioneve ajo është arrestuar vetëm për një prej tyre, ku ishte kallëzuar për mashtrim.

Referuar dosjes hetimore ka rezultuar se noterja 40-vjeçare, gjatë kohës që përgatiste dokumentacionin, nuk hapte llogari të ngrirë bankare për transferimin e parave nga pala blerëse tek ajo shitëse, por në kundërshtim me ligjin përdorte llogarinë e saj personale.

Shuma që dyshohet se ka përvetësuar noterja arrin në vlerën dy milionë Euro. Pak muaj më parë, noteres Rezarta Koçi i është vendosur eksploziv në automjet, ku pati vetëm dëme materiale. Koçit i është hequr licenca nga Dhoma e Noterëve, por më pas përmes vendimit të Gjykatës Administrative Tiranë licenca iu rikthye.