Katër persona kanë rënë në prangat e policisë së Korçës pas zbulimit të një grupi kriminal që tentonte të trafikonte vajza të mitura në Greqi për prostitucion, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim.
Të arrestuarit janë Roland Luli (një i dënuar më parë nga drejtësia greke me burgim të përjetshëm dhe i shpallur në kërkim), Mirel Pasho, Rezart Memetllari dhe Ermal Basho. Operacioni në fjalë është në zhvillim e sipër nga Prokuroria e Korçës dhe Policia e këtij Qarku dhe po punohet për kapjen e tre personave të tjerë të shpallur në kërkim.
Skema që përdorte grupi kriminal ishte e rëndë. Pasi mashtronin familjet e vajzave në fjalë nga Pogradeci dhe Korça, me pretendimin se po fejoheshin, më pas i trafikonin drejt shtetit fqinj.
Grupi kriminal është zbuluar rastësisht teksa hetoheshin për trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa pas vëzhgimeve në terren nga ana e Prokurorisë është zbuluar se grupi në fjalë trafikonte vajza të mitura drejt Greqisë me qëllim prostitucionin.





