I arratisur gjatë qershorit të vitit të kaluar, shqiptari 26-vjeçar Mirjan Luzi ka përfunduar në prangat e policisë italiane.
Arrestimi i tij është bërë në Porta Palazzo, në zonën veri-perëndimore të Torinos dhe ndaj shqiptarit rëndojnë akuza të rënda si: anëtar i një organizate kriminale me qëllime mafioze, shfrytëzim prostitucioni, heqje të lirisë, favorizim të futjes së klandestinëve në mënyrë të paligjshme në territorin italian.
Mediet italiane shkruajnë se Luzi dhe 14 persona të tjerë, akuzohen se kanë rekrutuar femra në Shqipëri, Greqi dhe vende të tjera të Europës Lindore, duke i futur në mënyrë klandestine në Itali me premtimin e një pune. Më pas, ata i vidhnin pasaportat e dokumentet e tjera identifikuese, dhe me anë të dhunës dhe kërcënimeve i detyronin të prostituonin në rrugë.