Një çift i moshuar ka kaluar momente tmerri, kur 3 persona me kapuç në kokë u kanë hyrë në shtëpi në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 03.00 të së hënës në zonën e Shkallnurit, Durrës.

Maskat, pasi kanë hyrë në shtëpi, kanë lidhur dy bashkëshortët M.E. 77 vjeç dhe Sh.E. 69 vjeçe dhe kanë marrë një sasi parash, rreth 100 000 lekë.

Sipas policisë së Durrësit, i zoti i shtëpisë ndodhet aktualisht në spitalin e qytetit dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. 

Policia, sapo është njoftuar për këtë vjedhje me dhunë, ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka shoqëruar disa persona.

Në njoftimin për shtyp, policia sqaron se “veprimet hetimore po kryhen në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve”.

Njoftimi i policisë: 

Në datë 20.11.2017, rreth orës 03:00 në Shkallnur 3 persona me kapuç kanë vjedhur me dhunë banesën e shtetasit M.E. 77 vjeç. Autorët kanë lidhur shtetasit M.E. dhe Sh.E. 69 vjeçe (bashkëshortë) dhe kanë marrë një sasi parash rreth 100 000 lekë. Shtetasi M.E. ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës jashtë rrezikut për jetën. Me të marrë njoftim menjëherë në vendngjarje kanë shkuar efektivet e Policisë, të cilët kanë shoqëruar disa persona. Veprimet hetimore po kryhen në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.