TEPELENE – Rikthehen maskat në rrugët e Tepelenës. Persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur rreth mesnatës një autobus të linjës Sarandë-Tiranë.
Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, 2 persona të armatosur i kanë bërë shenjë autobusit që të ndalej, duke qëlluar në ajër e më pas në drejtim të mjetit me kallashnikov.
Si pasojë e thyerjes së njërit prej xhamave të autobusit ka mbetur i lënduar një pasagjer.
Në këto kushte drejtuesi i autobusit e ndali mjetin, për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme.
Sipas policisë lokale, personat me maska e kallashnikov u kanë marrë pasagjerëve rreth 300 mijë lekë të vjetra në total dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të lumit Vjosë.
Pasi u njoftua nga pasagjerët e autobusit, policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet për të zbuluar identitetin e autorëve të krimit.





