Dy të rinj kanë mbetur të plagosur me mjete të forta mbrëmjen e së hënës në Tropojë, pasi disa persona të armatosur dhe me maska u kanë zënë pritë.

Sipas informacioneve nga policia, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 në aksin rrugor Tropojë- Lekbibaj, në vendin e quajtur “Shkëmbi i Rajzes”.

Shtetasit Fatjon Markaj 29 vjeç dhe Ermal Rosaj 27 vjeç, të dy banues në Lekbibaj, kanë qenë duke u kthyer në banesë me mjetin tip kamionçinë, kur janë ndaluar nga persona të maskuar, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në ajër.

Më pas ata i kanë goditur me mjete të forta dy të rinjtë, për të cilët raportohet se aktualisht ndodhen në spitalin e Tropojës, jashtë rrezikut për jetën.

Personat ende të paidentifikuar gjatë largimit i kanë vënë flakën edhe automjetit kamionçinë në pronësi të shtetasit Ermal Rosaj.

Grupi hetimor në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa gëzhoja armë zjarri.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.