BURREL – Rikthehen maskat në rrugë. Mbrëmja e djeshme u ka sjellë ndër mend banorëve të Burrelit tmerret e vitit të mbrapshtë ’97-të, kur grabitësit nën kërcënimin e armës bënin terror në akset rrugore. 

Burime zyrtare nga policia e Burrelit bëjnë me dije se mbrëmjen e së premtes, persona ende të paidentifikuar i kanë dalë përpara një furgoni pasagjerësh në aksin rrugor Burrel-Milot, në afërsi të fshatit Bushkash. 

Mësohet se drejtuesi i mjetit, i cili udhëtonte i vetëm, nuk është ndalur dhe për pasojë personat e maskuar kanë qëlluar me armë në drejtim të furgonit me targa MT 3389 A. 

Fatmirësisht shoferi nuk është lënduar dhe ka arritur të largohet me shpejtësi, ndërkohë që policia po vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. 

Kjo nuk është hera e parë që maskat u zënë “pritë” makinave në afërsi të fshatit Bushkash dhe nën kërcënimin e armëve u grabisin drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve varëset, celularët dhe paratë që kanë me vete.