11 qershor 2015 – Një djalë nga Kazakistani, i dëshpëruar për të ndihmuar të dashurën e tij 17-vjeçare që të merrte provimin  e lirimit, vendoi të futej vetë në sallën e provimit, duke u veshur dhe maskuar si ajo.

20-vjeçari Ayan Zhademov, vuri një paruke të zezë, bëri pak tualet, veshi një bluzë të bardhë dhe një fund ngjyrë gri të errët deri te gjuri dhe tentoi të hynte në sallën e provimit në vend të të dashurës. Por fatkeqësisht për çiftin, gjithçka u zbulua. Ai u dallua nga mësuesit të cilët pasi kuptuan se ‘vajza’ dukej ndryshe nga pamja e saj në kartën e identitetit, vendosën ta marrin në pyetje.

 “Ne dyshuam se mund të ishte ndonjë femër tjetër që ishte futur në vend të kandidates së vërtetë, por për asnjë moment nuk na shkoi mendja se ishte mashkull. Deri në momentin që nisi të fliste. Ai u përpoq të hollonte zërin, por pavarësisht kësaj, ishte e dukshme që ishte mashkull”, tha një zëdhënës i provimit.

Për këtë veprim, Zhademov u gjobit me 1,400 paund.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/