Profesor mjaft i dashur me nxënësit, figurë e nderuar dhe e respektuar e qytetarisë durrsake, përcjellës i traditave më të mira kombëtare, njeri me kulturë të jashtëzakonshme dhe humanitet të veçantë do të ishin disa nga përcaktimet që ish nxënësit e tij i kanë bërë ndër vite profesorit të tyre…. Si një nga penat më të njohura për tekstet e këngëve për fëmijë në Durrës, Gjeluci ka lënë pas me qindra të tilla, shumë prej të cilave janë nderuar me çmime nëpër festivale dhe vazhdojnë të kujtohen e këndohen nga fëmijët.
Lajmi i ndarjes nga jeta të një njeriu është gjithnjë i trishtë, për më tepër kur këtë person e ke njohur personalisht. Vdekja e profesor Matish Gjelucit, njeriut që edukoi me dashuri breza të tërë të rinjsh durrsakë, poetit të njohur, vargjet e të cilit u kthyen në këngë nga kompozitorët durrsakë si Ylli Ramzoti, Agron Xhunga, Hajg Zaharian etj. pikëlloi jo vetëm familjarët e miqtë e tij, por edhe njerëzit e artit e kulturës, ish-nxënësit e tij e shumë bashkëqytetarë që Matishin e kanë njohur dhe e mbajnë mend për humorin e tij të hollë dhe theksin shkodran që nuk e ndryshoi, megjithëse gjithë jetën e kaloi në Durrës. Ashtu e kujtoj dhe unë, kur disa vite më parë e takova së bashku me shokun e tij të pandarë Danish Bebeziqi, me të cilin do të zhvilloja një intervistë pas botimit të librit të tij “Historia e kombit shqiptar”. Megjithëse vëmendja ime ishte përqendruar tek profesor Danishi, nuk mund të lija pa vënë re atë burrin topolak që me të folurën e tij të ngjallte respekt, pasi dukej sikur rrezatonte mirësi e dashuri.
Të njëjtën ndjesi do më krijonte dhe rreth një vit më vonë, kur e takova sërish me rastin e përvjetorit të ditëlindjes së profesor Danishit, kur së bashku me shokë të tjerë, ata rinxorën nga kujtimet e tyre shumë nga momentet e bukura dhe të vështira me të cilat ishin përballur që nga fëmijëria e kaluar së bashku e deri tani kur ishin të gjithë burra të moshës së tretë. Profesor mjaft i dashur me nxënësit, figurë e nderuar dhe e respektuar e qytetarisë durrsake, përcjellës i traditave më të mira kombëtare, njeri me kulturë të jashtëzakonshme dhe humanitet të veçantë do të ishin disa nga përcaktimet që ish nxënësit e tij i bënë profesorit të tyre në Forumin e durrsakëve, në internet, ditën kur në hollin e Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” u kryen homazhet për Matish Gjelucin. Me këtë rast shumë miq, të afërm, por dhe drejtues të pushtetit vendor e deputetë, njerëz të artit e kulturës, artdashës dhe qytetarë të thjeshtë të Durrësit i dhanë lamtumirën e fundit profesorit të nderuar e letrarit të talentuar, që edhe pse në moshë të thyer nuk ndihej i lodhur, por përkundrazi vazhdonte të jepte kontributin e tij në lëmin e artit.
Si një nga penat më të njohura për tekstet e këngëve për fëmijë në Durrës, Gjeluci ka lënë pas me qindra të tilla, shumë prej të cilave janë nderuar me çmime nëpër festivale dhe vazhdojnë të kujtohen e këndohen nga fëmijët. Tekstin e tij të parë e ka shkruar kur ishte shumë i ri, në vit të parë në gjimnaz, për kompozitorin e njohur Pjetër Dungu. Më tej, ai tekst u pasua nga shumë e shumë të tjerë (rreth 1200 gjatë një periudhe gati 50-vjeçare), ku më i rëndësishmi mbetet libreti i operas “Bijtë e Skënderbeut”, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar.
Të njohurit e shokët flasin për Gjelucin
Kur një njeri ndahet nga jeta, të gjithë priren të flasin mirë për të. Por bashkëmoshatarët, shokët dhe bashkëpunëtorët e tij e ndjejnë si obligim të thonë fjalë të mira për profesor Gjelucin, për njeriun e palodhur dhe “inisiatorin e shumë aktiviteteve artistike” siç do ta cilësonte shkrimtari Daut Hoxha. Në rrëfimin e tij për Gjelucin, Hoxha kujton se ishin shokë lojërash e aty, në ato rrugica të Durrësit të vjetër, ata luanin me topa leckash, një nga argëtimet modeste të asaj kohe. Së bashku do të takoheshin prapë, por tashmë disa vite më vonë, në vitin 1961, kur të dy do të ishin mësues në shkollën e mesme “16 shtatori”. Nga ajo periudhë, Hoxha e kujton Gjelucin, si një mësues virtuoz, orët letrare të të cilit nuk ngjanin me një orë të zakonshme mësimi, por me ode poetike, pasi profesor Matishi zotëronte një kulturë të gjerë dhe dinte të ishte mjaft sugjestionues gjatë shpjegimit. Në raste jubilesh e përvjetorësh të rëndësishëm të ngjarjeve historike, Gjeluci ishte për Hoxhën promotori i gjithë aktiviteteve artistike e kulturore që zhvilloheshin në qytet. Një nga këto aktivitete që ka lënë gjurmë në kujtesën e bashkëmoshatarit të tij është viti 1964, kur festohej 20-vjetori i çlirimit të vendit. Për këtë ngjarje të shënuar, Gjeluci dhe mësuesja e mirënjohur Benardina Qeraxhia organizuan në qendrën kulturore “Aleksandër Moisiu” një variete me nxënësit e shkollës, aktivitet ky që u mirëprit dhe u duartrokit shumë nga artdashësit durrsakë. Miku i tij kujton gjithashtu se Matishi gjatë të gjithë periudhës së mësimdhënies ka ndihmuar e përkrahur shumë talente të reja, disa prej të cilëve u bënë emra të njohur të letërsisë e botës akademike si Moikom Zeqo, Floresha Dado, Hasan Ulqini etj.
Duke u kthyer pas në kohë, Hoxha risjell në kujtesë një moment të veçantë, siç ishte udhëtimi drejt Shkodrës me autobus i gjithë anëtarëve të klubit të shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit për të promovuar në qytetin e lindjes së Gjelucit romanin e tij “Rrjedhë”. Duke shkuar në qytetin ku kanë lindur disa nga artistët më të mëdhenj të humorit shqiptar, batutat dhe të qeshurat ishin bashkëshoqëruese gjatë të gjithë udhëtimit.
E pikërisht humorin e hollë të Matishit kujton dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Agron Xhunga. Kompozitori durrsak shprehet se edhe në ditët e fundit para se të ndahej nga jeta, profesor Matishi vazhdonte të krijonte situata të shumta humori në rrethin e tij të ngushtë të miqve të vjetër, prandaj mund të thuhet fare mirë se ai u nda me ata duke qeshur. “Megjithëse ishte një njeri me një kulturë të gjerë, Matishi ishte një burrë i urtë, shumë i komunikueshëm dhe i papërtueshëm. Ishte në të njëjtën kohë një njeri që sensin e humorit e kishte dhe e përdorte në çdo situatë, duke krijuar lirshmëri komunikimi me këdo bashkëbisedues, qoftë i ri apo i moshuar”,- thotë Xhunga.
Bashkëpunimi Gjeluci-Xhunga, që shtrihet në disa dekada, vazhdonte deri para se profesor Matishi të ndahej nga jeta. Si një nga momentet më të rëndësishme të këtij bashkëpunimi artistik, të përqendruar tek këngët për fëmijë, kompozitori durrsak kujton ciklin “4 stinët”, varietenë me të cilën ata u nderuan me çmim të dytë në një konkurs kombëtar. Xhunga kujton gjithashtu se ndjenja patriotike ishte mjaft e zhvilluar tek profesor Matishi dhe e ka frymëzuar atë të nxjerrë disa nga krijimet letrare më të arrira. “Në çdo përvjetor të çlirimit të vendit, Gjeluci angazhohej vetë personalisht së bashku me nxënësit e shkollës për të realizuar variete, që gjithmonë prezantonin para publikut krijime të reja”.
Jeta e Matish Gjelucit
I lindur në Shkodër më 22 gusht 1934, ai u vendos së bashku me familjen e tij në Durrës kur ishte vetëm 9 muajsh. Në qytetin bregdetar do të ndiqte shkollën fillore e të mesme, ndërsa studimet e larta i kreu në fakultetin Gjuhë-Letërsi, në Tiranë. Pas mbarimit të shkollës së lartë do të emërohej të jepte mësim në gjimnazin “16 shtatori”, ku deri pak vite më parë kishte qenë nxënës e tani vinte si koleg i profesorëve të tij të dikurshëm. Poemthin e tij të parë “Trimi e vasha” e ka botuar që kur ishte në bankat e shkollës. Ndër 37 librete tabllosh muzikore e operetash për fëmijë të shkruara prej tij përmenden të tilla si “Era e mirë e bukës”, “Kopshti i pyllit”, “Në rrugë”, “Buqeta” etj., të vlerësuara me çmime në konkurse kombëtare. Ai ka bashkëpunuar për shumë dekada me disa prej kompozitorëve më të mirë durrsakë si Ylli Ramzoti, Agron Xhunga, Hajg Zaharian etj duke lënë pas një fond mjaft të pasur me këngë për fëmijë. Matish Gjeluci ka shkruar edhe romanin për fëmijë “Shpella e topi”, ndërkohë që në periudhën 22 gusht 2006-6 mars 2007 shkroi romanin “Rrjedhë”. Pas vitit 1990 Matish Gjeluci bëhet promotor i botimit "Vegime drite", revistë kulturore fetare e bashkësisë katolike të Durrësit dhe në të njëjtën kohë punon si korrespondent i Radio Vatikanit. Pasioni e tij për procesin e të shkruarit ai e shpalos edhe në rastin kur së bashku me një grup miqsh shkrimtarë dhe poetë botoi revistën letrare “Update-D”.