Ardian Hazeidarasi, drejtues i  kompanisë së transportit ndërkombëtar “Conseralba”  deklaron se taksa e peshës  po i detyron të gjithë transportuesit të regjistrojnë mjetet e tyre në shtetet fqinjë, ndërsa transportuesit më të vegjël po i çrregjistrojnë nga Shqipëria dhe i matrikullojnë në shtete të tjera.

Z. Haseidarasi pse po ndodh ky fenomen?

Problemi kryesor i transportuesve shqiptarë është taksa e peshës. Kjo është një taksë, e cila paguhet nga kamionistët shqiptarë dhe tre shtete të tjera. Nga rrezja prej 100 km, paguajmë 6.2 euro për ton, që do të thotë 300 Euro për një eksport dhe 250 apo 300 Euro të tjera për një import, në një rreze prej 100 kilometrash. Në një rreze prej më shumë se 100 km, kjo taksë peshe kalon në 9,3 euro për ton. Kjo është taksë shumë e lartë dhe ka vënë në vështirësi të madhe transportin e mallrave me kamionë. Jemi detyruar të matrikullojmë mjetet tona në shtetet fqinjë siç është Maqedonia, Bullgaria, etj. gjë të cilën, unë personalisht, do ta realizoj shumë shpejt, për shkak të kostos shumë të lartë të transportit. Cdo transport na kushton mbi 500 deri në 600 Euro. Nuk kemi pse ia paguajmë shtetit italian, kur shtete të tjera si Maqedonia, Bullgaria nuk e kanë këtë.

Kur e keni nisur aktivitetin dhe pse nuk është gjetur një zgjidhje e këtij problemi midis dy shteteve?

Aktivitetin e kam  nisur në vitet 1992 dhe tani kam një flotë prej 50 mjetesh dhe një strukturë me 15 punëtorë në Shqipëri dhe 10 të tjerë në Itali. Ndjehemi shumë në vëshirësi, kjo edhe për shkak të konkurencës me vendet e tjera.

Si operohet me vendet e tjerë të rajonit? Është e njëjta proçedurë?

Me transportuesit maqedonas e kemi të humbur konkurencën, sepse ata nuk e kanë këtë lloj takse dhe dalin me kosto më të ulët se ne. Ne kërkojmë që qeveria të shqyrtojë në parlamentin shqiptar heqjen e kësaj takse në shtetin italian, e cila dëmton ekonominë e kompanive shqiptare dhe penalizon të gjithë ekonominë e vendit. Ka që prej vitit 1996, që është vënë kjo taksë dhe pavarësisht përpjekjeve që janë bërë nuk është bërë asnjë gjë. Kemi bërë disa herë peticione në Ministrinë e Transporteve që kjo e fundit të nisë bisedimet me Ministrinë italiane të Transporteve. Kemi gjetur mundësinë e vetme që këtë vit t’i matrikullojmë mjetet tona jashtë kufijve të Shqipërisë, gjë, e cila do të ndikojë në ekonominë e vendit tonë. Shteti nuk do të mbledhë më taksa nga transportuesit shqiptarë.