Emri i madh i futbollit gjerman, Lothar Matthaus, i ka goditur lojtarët e Bayern Munich në skuadrën e drejtuar nga Joachim Low, pas dështimit në Kupën e Botës së Rusisë. Kampionët e botës në fuqi u rrëzuan në mënyrë të çuditshme që në fazën e grupeve, pas humbjeve me Meksikën dhe Korenë e Jugut.
Kjo ishte hera e parë që ndodhte nga viti 1938, kur Gjermania nuk arriti të shkonte përtej raundit të parë në turneun e madh të kombeve.Matthaus, fitues i Kupës së Botës së vitit 1990, ishte i ashpër në vlerësimin e tij për kombëtaren e Low, veçanërisht për “trion” e Bayern Munich, Jerome Boateng, Thomas Muller dhe Mats Hummels. “Ekipi ka udhëheqës, por udhëheqësit janë të preokupuar me veten, – tha ai. – Unë jam duke menduar në veçanti për lojtarët e Bayern Munich; Boateng, Hummels, Neuer, Muller. Përveç Manuel, besoj se askush nuk mund të jetë i kënaqur me punën e tij.
Një humbje në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit, një humbje në finale të “DFB-Pokal” kundër Eintracht Frankfurt…”Pavarësisht se u kontraktua deri në vitin 2022, e ardhmja e Joachim Low në krye të Gjermanisë mbetet e pasigurtë. Ndërsa Matthaus vlerësoi 58-vjeçarin, ai shtoi se Low bëri gabime me përzgjedhjen e skuadrës: “Unë jam një tifoz i tij. Në 12, apo 14 vitet e fundit, ai e ka karakterizuar futbollin gjerman dhe Gjermaninë.
Low jo vetëm që e udhëhoqi Gjermaninë në fitimin e Kupës së Botës, por edhe arriti në gjysmëfinale të çdo turneu tjetër. Nuk ka asgjë për ta qortuar atë, për të gjithë të kaluarën e tij, përveç këtij turneut aktual. Sipas mendimit tim, ai nuk bëri përzierjen e duhur në kombëtare mes ekipit fitues të Kupës së Konfederatave dhe fituesve të Kupës së Botës në vitin 2014. Ishte në fakt një ekip që nuk kishte mundësi të përballonte fizikisht meksikanët dhe koreanët e jugut, veçanërisht ritmin e tyre”.





