Të gjithë maturantët kanë të drejtë të kërkojnë deri më datën 1 korrik, fotokopjen e testit të provimit, nëse kanë pakënaqësi mbi notën apo dyshime mbi vlerësimin.
Për të marrë fotokopjen e provimit, ata duhet t’i drejtohen me një kërkesë Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore.
Ministria e Arsimit bën të ditur se nuk do të ketë proces rivlerësimi.
“Në bazë të nenit 28 pika 8 e Rregullores së Maturës Shtetërore 2016:Maturanti/kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij pas përfundimit të të gjitha provimeve, me një kërkesë drejtuar KSHMSH-së, e cila do t’i kthejë dhe përgjigjen. Afatet e kërkesës përcaktohen me udhëzim të veçantë të Ministrit Arsimit dhe Sportit. Proces rivlerësimi të testit nuk do të ketë.
1- 27.06.2016 deri 01.07.2016: Maturanti/kandidati bën kërkesën e tij në shkollë për fotokopje të provimeve D3, D1 të Maturës Shtetërore 2016. Bashkë me kërkesën dorëzon faturën për arkëtim.
2- Brenda datës 04.07.2016: KMSH e DAR/ZA dorëzon në AKP listën e kërkesave.
3- Brenda datës 10.07.2016: AKP përcjell në KMSH e DAR/ZA fotokopjet e testeve sipas kërkesave të maturantëve/kandidatëve”, thuhet në njoftimin e MAS-it.





