Një ditë përpara fillimit të provimeve të maturës, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka vënë theksin tek zbatimi me përpikmëri i rregullores së Maturës Shtetërore.
Këtë ministrja e bëri me dije, gjatë një takimi që zhvilloi sot me monitoruesit që do të ndjekin nga afër provimet e maturës që do të nisin më 3 qershor me provimin e gjuhës së huaj. Më 10 qershor do të zhvillohet provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ndërsa më 18 qershor provimi i matematikës.
“Kemi një rregullore që duhet zbatuar nga të gjithë, që nga shkollat e deri në nivel kombëtar. Shpresoj të mos kemi parregullsi, por nuk do të ketë asnjë tolerancë për rastet që shkelin rregulloren. Nxënësit duhet të jenë të qetë dhe të sigurt gjatë këtij procesi provimesh,” theksoi Ministrja Manastirliu.