10 mars 2015 – Sot nisi aplikimi online i Formularit A1, për të gjithë nxënësit që mbarojnë këtë vit gjimnazin.

“Aplikimi për këtë formular mbaron në datën 24 mars 2015 dhe do të bëhet sipas kalendarit të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Aplikimi online për Formularin A1 bëhet në shkollën ku maturanti vazhdon mësimin dhe nën kujdesin e mbikëqyrësit. Gjatë aplikimit në Formularin A1, maturantët duhet të kenë kujdes të përzgjedhin mirë lëndët me zgjedhje, duke parë koeficientët që këto lëndë kanë në programin e studimit që ata preferojnë. Këta koeficientë janë të shpallur në faqen e AKP-së dhe MAS-it”, ka bërë të ditur zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj.

Ndërsa, më 25 mars 2015 fillon aplikimi online për Formularin A1Z, që është për të gjithë kandidatët që e kanë mbaruar maturën para vitit 2015. Aplikimi për këtë formular mbaron më 30 mars.

Formularin A1Z do ta plotësojnë të gjithë personat që:

-Kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2015 dhe duan të bëhen pjesë e garës për të ndjekur studimet në IAL-të, në vitin akademik 2015-2016.
-Kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë vendit, kanë bërë njehsimin e diplomës në MAS dhe duan të bëhen pjesë e garës për të ndjekur studimet në IAL-të, në vitin akademik 2015-2016.

Aplikimi online në Formularin A1Z bëhet në shkollën ku aplikanti ka mbaruar arsimin e mesëm ose në shkollën e vendbanimit që ka caktuar DAR/ZA, nën kujdesin e mbikëqyrësit.

Të gjithë aplikantët në Formularin A1Z, në momentin e aplikimit, duhet të kenë me vete dokumentacionin e nevojshëm.

Ndërkaq, edhe ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Lindita Nikolla, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ka njoftuar nisjen e aplikimeve online, duke u uruar të gjithë maturantëve suksese të shumta.

“Të dashur maturantë!

Dëshiroj t’ju informoj se sot, fillon aplikimi online për formularin A1, në portalin e Maturës Shtetërore 2015.

Nga ana jonë janë marrë të gjitha masat që çdo procedurë të jetë në rregull dhe sipas afateve. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe të Agjencisë Kombëtare të Provimeve do të gjeni çdo informacion që ju nevojitet.

Aplikimi për këtë formular zgjat deri në 31 mars, sipas një kalendari të përcaktuar.

Ju uroj një ditë të mbarë dhe shumë suksese!”, shkruan në “Facebook” Nikolla.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/