Tiranë, 5 korrik 2014 –  Tashmë që maturantët kanë marrë rezultatet e të katër provimeve të Maturës Shtetërore do të mund të bëjnë përllogaritjen e saktë të pikëve e cila do ti ndihmojë ata për të përcaktuar më saktë se kush janë degët që mund të fitojnë në universitetet publike të vendit. Përllogaritja e pikëve për hyrjen në universitetet publike, të maturantit bëhet si më poshtë: Shënojmë me M, D1, D2, Zi dhe Z2 përkatësisht pikët mesatare të shkollës së mesme, vlerësimet në lëndët e detyruara dhe në ato me zgjedhje. Shënojmë me K koeficientin e shkollës të përcaktuar nga universitetet publike. Shënojmë me F1, F2 koeficientet e lëndëve me zgjedhje të përcaktuara nga universitetet publike. Llogaritja e shumës S të pikëve të maturantit do të bëhet me formulën: S={[26*M+20*(D1+D2)]*K+17* 
(Z1*F1+Z2*F2)}*5 Në llogaritjen e pikëve kandidatët duhet të përdorin vetëm notën e përshkallëzuar, shkruan “Gazeta Shqiptare”. 

Këtë vit formula ka ndryshim me vitin e shkuar pasi më shumë rëndësi këtë vit dhe peshë më shumë ka mesatarja e shkollës së mesme, pasi i është rritur pesha, nga 20% që e kishte më parë këtë vit ka shkuar 26%. Duke ju ulur me nga 3% pesha e secilit provim me zgjedhje. Në formulën e llogaritjes së pikëve kjo gjë sjell një diferencë prej 50 pikësh. Këtë vit maturantët me formulën e re marrin 50 pikë më shumë se vjet. 

Preferencat 
Pas miratimit të kuotave të pranimit nga qeveria Ministria e Arsimit do të publikojë Formularin A2, ku çdo maturant do të mund të plotësojë 10 preferencat për të ndjekur shkollën e lartë. Kuotat pritet që të miratohen në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, ndërsa Formulari A2 pritët të dalë pas datës 20 korrik. Sipas specialistëve të arsimit për këtë vit lëndët më të preferuara kanë qenë Qytetari, Anglisht gjuhë e parë, Histori e Thelluar dhe më pas renditet Biologji e Thelluar dhe Ekonomi. 

Koeficienti për Qytetarinë varion nga 1 në 1.3, koeficienti më i lartë është në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës dhe në ato të rretheve. Ndërsa Anglishtja si gjuhë e parë e ka koeficientin 1.3 në të gjitha degët në çdo universitet. Nëse maturanti ka zgjedhur këto dy degë ai ka shumë mundësi të fitojë në Sociologji, Punë Sociale apo Filozofi, por edhe në degë të tjera shoqërore. Nëse ai ka përzgjedhur Biologji dhe Anglisht ai ka shumë mundësi të fitojë në degët e Universitetit të Mjekësisë, apo në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. 

Nëse ka përzgjedhur Ekonomi dhe Anglisht, shanset e tij për të siguruar një degë në Fakultetin e Ekonomisë janë të larta. Pasi secili prej tyre të jetë konsultuar se cilat janë mundësitë për të fituar në degët përkatëse, atëherë ai do mund të plotësojë saktë Formularin A2. Ndër degët e përzgjedhura, maturantët duhet të zgjedhin 10, ku kanë më shumë shanse për të hyrë, përfshi këtu edhe një ose dy preferenca, ku ndonëse nuk kanë mjaftueshëm pikë, janë më të preferuarat e tyre. 

Specialistët sugjerojnë që ndarja e dhjetë degëve të jetë: 2 degë të preferuara, pavarësisht sa e mundshme është hyrja; 6 degë të cilat janë gjithashtu të preferuara, por që janë njëkohësisht edhe të mundshme për të hyrë në universitet, në bazë të pikëve të grumbulluara dhe në fund, 2 degë, të cilat kanë pak pikë, me qëllimin e vetëm pranimin në universitet.