Kosovë, 13 qershor 2014 – Policia e Kosovës gjatë ditës së premte ka filluar ta hetojë një rast, pas një informate të marrë se një numër i madh i maturantëve kanë blerë numra të ri të telefonave për të kopjuar nesër (e shtunë) gjatë mbajtjes së Provimit të Maturës Shtetërore.

Mbajtja e telefonave gjatë mbajtjes së këtij provimi është e ndaluar, kurse nëpërmjet operatorëve të telefonisë mobile janë duke u hetuar grupet e organizuara dhe ata do të paraqiten para drejtësisë.

Zyrtari për Informim në Policinë e Kosovës, Brahim Sadriu, ka thënë për “Epokën e re” se policia ka një informacion të tillë dhe tashmë është duke e hetuar. Sadriu ka bërë me dije se policia çdo vit e ndihmon MASHT-in në sigurimin e këtij procesi.

“E kemi planin për menaxhimin e sigurisë gjatë këtij procesi. Çdo vit i asistojmë Ministrisë së Arsimit në përcjelle të materialit. Kemi informata që ka tendenca dhe, në qoftë se ka elemente në këtë drejtim, do ta hetojmë. Natyrisht menaxhimin e pjesës së brendshme të testit e bën edhe MASHT-i”, ka thënë Sadriu.

E Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) është zotuar se nuk do të lejohen manipulime në Provimin e Maturës. Mustafë Kadriu, drejtues i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim, ka thënë për “Epokën e re” se nga përvoja e viteve të kaluara ka pasur tendenca nga maturantët që me anë të telefonit t’i marrin përgjigjet e pyetjeve të testit.

Kadriu ua ka bërë me dije edhe një herë maturantëve se mbajtja e telefonit është e ndaluar dhe u ka bërë thirrje të mos tentojnë të futen me telefona mobilë në qendrat e testimit. “U bëj thirrje maturantëve të mos marrin telefonat mobilë me vete sepse në këtë mënyrë ata rrezikojnë procesin e mbajtjes së maturës dhe anulimin e tij”, ka thënë Kadriu.

/Epoka e Re/