Ditën e hënë, maturantët kthehen për herë të parë në bankat e shkollës pas një shkëputjeje më shumë se dy mujore. Rikthehen në shkollë, por asgjë nuk do të jetë më njësoj përgjatë 3 javëve mësim, deri tek provimet e Maturës Shtetërore.

Nga rreth 2600 maturantë që frekuentonin deri para pandemisë Covid-19, shkollat e mesme publike dhe private të Durrësit vetëm 2200 pritet të ulen në banka këto ditë. Drejtoresha e ZVA Durrës, Jonida Matohiti, sqaroi për DurrësLajm se gjatë gjithë kësaj periudhe, por sidomos javën e fundit, stafet pedagogjike dhe mësuesit kujdestarë kanë qenë në kontakt me prindërit dhe maturantët për t’u shpjeguar protokollet e sigurisë që do të zbatohen në shkolla dhe masat mbrojtëse që do të garantojnë sigurinë e adoleshentëve.

“Që nga hyrja në shkollë, nxënësit do të jenë të pajisur me maskë dhe doreza dhe do të kenë largësi 2m njëri nga tjetri. Janë vendosur piketat sinjalizuese në oborr dhe në ambientet e shkollës. Klasat do të kenë 10 nxënës maksimumi dhe mes bankave do të garantohet distancimi fizik. Në secilën prej tyre do të jetë vendosur një dezinfektues, për t’u përdorur nga maturanti. Të gjitha ambientet e shkollave janë dezinfektuar. Oficerët e sigurisë dhe mësuesit e edukimit fizik do të jenë në krye të detyrës përgjatë gjithë orarit të zhvillimit të mësimit. Punonjësi i shërbimit psiko-social dhe një mjek do të jenë të pranishëm çdo ditë në shkollë. Nxënësi do të ketë çdo ditë me vete deklaratën mbi gjendjen shëndetësore të firmosur nga prindi”,- bën të ditur drejtoresha Matohiti.

Ndërkohë, maturantët që banojnë në qarqe të tjera dhe janë konviktorë në Durrës e kanë të pamundur paraqitjen në shkollë. Për këtë arsye, për ta është gjetur zgjidhja që t’i zhvillojnë konsultimet gjatë këtyre javëve në shkollat e mesme të qyteteve të tyre. Drejtoresha e ZVA sqaron se gjatë këtyre 3 javëve maturantët do të zhvillojnë ripërsëritje të kapitujve që kanë bërë gjatë dy tremujorëve të parë të vitit në lëndët kryesore Gjuhë Shqipe, Letërsi, Matematikë, Gjuhë e huaj dhe lënda me zgjedhje, që është përzgjedhur nga vetë nxënësi.

Për maturantët që kanë frikë të paraqiten në shkollë për shkak të pandemisë Covid-19 do të vijojë mësimi online, njësoj siç është zhvilluar gjatë të gjithë kësaj periudhe.

Të hënën, 18 maj, në të gjithë qarkun e Durrësit hapin dyert 33 gjimnaze nën masa të rrepta kufizuese për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në institucionet arsimore.

M.B.