Tiranë, 14 qershor 2014– Maturantët kanë shprehur pakënaqësi për notat me të cilat ata janë vlerësuar në provimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Të mbledhur sot përpara dyerve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, nxënësit e shkollave të mesme kërkojnë rishikim të tezave të tyre, pasi në bazë të çelësit të përgjigjeve që ministria ka publikuar ata janë vlerësuar më pak se sa pikë meritojnë.
Për këtë shqetësim më herët kishte reaguar edhe ish kryeministri Berisha në rrjetin e tij social Facebook, ku shkruante se kishin ardhur shumë mesazhe dhe komente në të cilat maturantët nga i gjithë vendi shprehin pakënaqësinë e tyre për vlerësimin e provimit të letërsisë. Ata me janë lutur qe shqetësimi i tyre serioz te pasqyrohet ne rrjetin tone.
Ndërsa në një deklaratë për mediat, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron se për vlerësimin e testeve të Maturës Shtetërore është hartuar një skemë vlerësimi (për çdo provim), e cila publikohet në faqen e internetit të MAS dhe AKP.
Kjo skemë përdoret nga të gjithë vlerësuesit që korrigjojnë përgjigjet e nxënësve. Sipas MAS, përpara se të vijohet me korrigjimin e testeve, të gjithë vlerësuesit trajnohen me qëllim qartësimin e të gjitha procedurave. Ndërsa AKP procedon me fotokopjimin e testeve dhe i dërgon në DAR-in përkatës me postë, të gjitha procedurat e ankimimit janë sqaruar në faqen zyrtare të AKP-së: www.akp.gov.al.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





