Maturantët po protestojnë sërish për të dytën ditë me radhë, kundër formulës së përzgjedhjes në Universitete.

Ndryshe nga protesta e një dite më parë para Kryeministrisë, sot ata janë vendosur para Kuvendit, me pankarta në duar dhe thirrje të qarta për rikthimin e sistemit meritë-preferencë.

Maturantët që nuk e kanë gjetur veten në listat fituese thonë se mesatarja që ishte kriteri kryesor i vendosur nga institucionet e arsimit të lartë për t’u pranuar në auditore nuk është marrë parasysh, pasi jashtë listave thonë ata kanë mbetur studentë me rezultate shumë të larta dhe mesatare gati në 10.

Sipas tyre, amullia që është krijuar ka vetëm një qëllim, kalimin e tyre tek universitetet private.

Por një gjë e tillë nuk mund të arrihet nëse maturanti që në momentin e përzgjedhjes së lëndëve nuk e ka përzgjedhur alternativën e vijimit të studimeve të larta në një universitet privat.

“Ata që kanë nota të mira nuk janë shpallur fitues. Kjo amulli ëhstë bërë që studfentët të shkojnë drejt privatit, duke bërë korrupsion”, tha një nga maturantët.