Durrës, 25 korrik 2014 – Keni dëgjuar ndonjëherë që të kesh mesataren e notave 10.56? Po, një maturant nga Durrësi ka përfunduar më shumë se shkëlqyer ciklin shkollor të deritanishëm në jetën e tij. Zëra nga Ministria e Arsimit na treguan se në qytetin e Durrësit një djalosh, pas disa provimeve të dhëna kishte fituar të drejtën e studimit për në Universitetin e Harvardit. Ai është Kevin Shani. Ka një zhdërvjelltësi në të folur dhe informacion për gjithçka. Nuk e ka patur të thjesht, por ja ka dalë të jetë një ndër nxënësit më të mirë në Shqipëri, shkruan gazeta "Dita".

Kevin, cila është vendlindja juaj dhe nga buron gjithë ky talent për arsimin?

Kam lindur e jam rritur në qytetin bregdetar dhe të mrekullueshëm të Durrësit. Im atë është një durrsak i vjetër, kurse mami ka lindur në qytetin e Shkodrës, në një familje të madhe shkodrane që më pas u shpërngul në Durrës. Arsimin, do të thoja me plot bindje, e kemi në gjak. Familja ime ka qenë një faktor i rëndësishëm që ka ndikuar fuqimisht dhe në mënyrën më të efektshme në formimin tim intelektual. Familja ime është një familje tejmase arsimdashëse, një familje tipike qytetare intelektuale që kërkon formësimin me ideal të parimeve të kulturës së përgjithshme te fëmijët e vet. Mamaja ime është një nga ata prindërit e rrallë, që na ka ndenjur mbi kokë mua dhe vëllait të vogël, gjatë kohës që bënim detyrat dhe na ka shtyrë të shkonim në tavolinën e studimit edhe atëherë kur neve nuk na e kishte ënda, një nga ato prindër që mërzitej edhe në qoftë se merrnim nga ndonjë nëntë në shkollë. Ajo është në kërkim të perfeksionit dhe kur ndodh që vëllai apo unë lëvdohemi për arritjet tona, është pikërisht ajo që na thotë: “Ka akoma vend për përmirësim!.” Kjo më ka bërë të kërkoj më shumë nga vetja dhe të synoj për më lart në formimin tim akademik.

Ne kemi informacion që ju keni ndjekur një gjimnaz publik, por si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me mësuesit dhe nxënësit e tjerë të shkollës që keni frekuentuar?

Unë kam frekuentuar gjatë tri viteve gjimnazin publik “Gjergj Kastrioti” të qytetit të Durrësit. Dua të theksoj faktin që unë jam produkt i punës së palodhshme, plot dëshirë e padyshim plot mund të mësuesve të mrekullueshëm të kësaj shkolle. Janë pikërisht ata që na kanë udhëhequr mua dhe bashkëmoshatarët e mi në rrugën e pafundme dhe të bukur të dijes. Vitet e shkollës së mesme kanë qenë ndër vitet më të paharrueshme të jetës sime, kjo për faktin se vetë gjimnazi përkon me vitet më vitale të jetës së çdokujt, por edhe me një faktor tjetër jo më pak të rëndësishëm: kam qenë i rrethuar me njerëz të mrekullueshëm, njerëz arsimdashës, persona me një kulturë të admirueshme që ta kishte ënda të kaloje orë të tëra duke diskutuar për çështje nga më të ndryshmet. Gjithashtu, edhe profesorët kanë qenë të pakrahasueshëm, intelektualë ekspertë të fushave të tyre. Marrëdhëniet me to kanë qenë të shkëlqyera. Ju mund të mendoni se “Gjithkush i do nxënësit e mirë!”, por mësuesit e mi kanë qenë aq të aftë profesionalisht sa kanë arritur të shohin edhe potencialin që mund të ketë një nxënës më i dobët në orët mësimore. Përuljet më të përzemërta dhe të sinqerta mësuesve të shkollës “Gjergj Kastrioti” dhe “Jusuf Puka”, që ka qenë shkolla ime nëntëvjeçare.

Sa është mesatarja juaj e viteve të gjimnazit, dhe sa e vështirë ka qenë që të qëndroni në këtë nivel?

Mesatarja ime ka arritur vlerën 10.56. Pak e çuditshme në pamje të parë, por kjo është mesatarja e sistemit të ri që llogaritet me anë të krediteve për secilën lëndë. Vështirësia për të mbajtur mesataren dhjetë, sidomos gjatë viteve të gjimnazit, ka qenë normalisht mjaft e madhe. Më kujtohen ato netët që unë dhe shumë shokë të mi i kemi kaluar zgjuar duke studiuar për ndonjë provim të nesërm, apo ato blloqet e trasha të ushtrimeve të matematikës dhe fizikes që tani gjatë verës kanë filluar të pluhurosen në raftin e librave. Por, gjithmonë e mendoj këtë, ka qenë një djersë që duhej hedhur dhe një përkushtim që duhej të ishte me domosdo pjesë e viteve të arsimimit, pasi në fund fiton shumë. As nuk mund të krahasohen lodhja gjatë viteve me rezultatin final: marrjen e një dege që të pëlqen dhe që do të të bëj dikushin në jetë. Investimi më i mirë në këtë moshë është pa pikën më të vogël të dyshimit, investimi për dijen. Absolutisht patjetër!

Informacionet tona na kanë treguar se ju keni fituar një bursë të plotë në Harvard College, apo jo?

Këtë vit përfundova aplikimet për studime në universitetet amerikane dhe mora një rezultat që nuk e prisja, pavarësisht që ishte ëndrra ime, një bursë e plotë në Harvard College.

Si e arritët?

Nuk ka një recetë fikse. Fillimisht janë disa provime që njihen nga shumë gjimnaziste, si SAT dhe TOEFL. Më pas universiteteve në botë i intereson tejmase angazhimi yt në shërbim të komunitetit dhe në shërbim të zhvillimit të jetës tënde sociale.   Përfundimisht, duhet t’i nënshtrohesh disa intervistave me përfaqësues të universiteteve, të cilët i vënë theksin karrierës tende të ardhshme dhe mënyrës se si mund ta ndihmosh vendin tënd me arsimimin prestigjioz që do të marrësh. Dhe meqë arritëm tek e ardhmja, unë gjithmonë e kam parë veten si një doktor në shërbim të të tjerëve.

E keni zgjedhur drejtimin tuaj të shkollimit, degën për të cilën do vazhdoni studimet?

Në zgjedhjen e degës nuk jam nisur aspak nga tendenca e pakuptimte dhe paksa jologjike, që “Nxënësit e mirë vazhdojnë për mjekësi”. Ambicia ime për t’u bërë doktor lidhet me dhembshurinë time për njerëzit e sëmurë, lidhet me faktin se nuk mund t’i dhurosh dikujt diçka më të madhe sesa jetën, lidhet me emocionin që të lind nga sytë e përlotur kur i shpëton të birin, apo me dëshirën e të thënit  “Faleminderit” kur shpëton një jetë. Pas njëzet vitesh, e imagjinoj veten duke shpikur ndonjë kurë për kancerin apo…gjithsesi, unë nuk jam nga ata që bëj plane për shumë larg. Në fillim e ngul një gozhdë dhe më pas them që e ngula. Synimi im në jetë është të bëj diçka në ndihmë të njerëzve të mi, shqiptarëve.

Po çfarë doni të bëni konkretisht?

Nuk arrij aq larg sa të them që do të bëj ndryshime globale, unë dua të ndihmoj Shqipërinë në radhë të parë, pavarësisht degës që vazhdoj. Një shprehje e mrekullueshme e të madhit Konica e mbyll më së miri idenë time: “Shqipëria ka pasur edhe në kohërat e shkuara studentë. Po ata mësimin e tyre, të mbaruar a gjysmak, e vejin në shërbim të një guverne të huaj. Vendi i tyre nuk ish i lirë që t’i faljin djersën edhe trurin. Sot puna ndryshoi. Kemi sot një Shqipëri më vete, nënë të të gjithë bijve të saj edhe njerkë t’asnjërit. Ajo do t’i presë me krahë të hapura djemtë e saj që kthehen në shtëpi nga shkolla, – po duhet dhe këta diç t’i shpien nënës nga kurbeti.”

/gazeta "Dita"/