Maturantja durrsake Laura Sulaj, fituese e Bienales NMK 2017, ishte këto ditë protagoniste e dy koncerteve në Spanjë.

Fituese e konkursit “Yjet e rinj”, që organizohet në kuadër të Bienales “Netët e Muzikës Klasike” çdo dy vjet në Durrës, njëlloj si edhe bashkënxënësit e saj fitues në vitet e kaluara, pianistja e re ishte ftuar nga bashkëshortët Rediana dhe Florian Vlashi, të cilët jetojnë dhe punojnë në Spanjë që nga viti 1992.

Laura Sulaj interpretoi solo në dy koncerte të organizuara në Akademinë Mbretërore dhe të nesërmen në Auditorin e Konservatorit Culluredo.

18-vjeçarja nga Durrësi mori vlerësimet më të mira nga dëgjuesit artistë të koncerteve të saj në Spanjë.

Artistja Soledad Penalta, anëtare e Akademisë Mbretërore të Arteve të Bukura La Coruña shkruan: “Koncert i mrekullueshem i Laura Sulaj. Faleminderit!”

Kritiku Julio Andrade Maltes nën titullin “Duke zbuluar të ardhmen” shkruan në gazetën “La opinion” të 26 majit: “Në qytetin tonë kemi pasur privilegjin të dëgjojmë fillimin e rrugës se pianistes shqiptare Laura Sulaj, çka tregon se mund të jetë e shkelqyer. Dhe sikur të ishte pak, artistja dukej e palodhur përballë një programi që të linte pa frymë. Si përfundim: kemi asistuar në parathënien e një të ardhmeje. Do të ishte një kënaqësi e madhe të dëgjonim përsëri Laura Sulaj pas disa vitesh duke vërtetuar këtë vizion parashikues”, përfundon Andrade.

Gjatë dy viteve të fundit pianistja Laura Sulaj ka patur një veprimtari të dendur solistike edhe në vende të tjera si Gjermani, Palma de Majorka, Francë, etj.

Repertori i saj është shume i gjerë duke filluar nga periudha baroke deri në atë kontemporane duke përmendur kompozitorë si: Bach, Hayden, Beethoven, Brahms, Chopin, Scriabin, Prokofiev, Rachmaninoff, Debussy, McDowell si dhe kompozitorë shqiptarë.

Nga Gëzim KABASHI