Kosovë, 19 maj 2014 – Jeni mësuar të dëgjoni për femra që duken tejet seksi dhe bukur për mbrëmjet e maturës, me fustanë që kanë prerje sa të tepruara, aq edhe solemne e të zakonshme. Por, e zakonshme nuk ishte dukja e një maturanteje nga Peja, e cila e pikturoi vet fustanin e saj.
Viona Etemi quhet vajza nga Peja e cila ka realizuar një gjë të rrallë për moshataret e saj. Ajo ka vendosur që talentin e saj ta shprehë pikërisht për mbrëmjen më të rëndësishme të moshës rinore.
18 vjeçarja ka pikturuar vet mbi fustanin e saj, duke realizuar mbi shumë gjyra një art të jashtëzakonshëm, i cili vërehet nga fotografitë më poshtë.
“Fustanin e kam pikturuar vet me ngjyra të akrilit. Materiali është taft, material i zakonshëm për fustanë”, theksoi Viona për Telegrafin.
Imazhet më poshtë flasin vet për veprën artistike të krijuar. Viona është 18 vjeçare e cila ka përfunduar gjimnazin e shkencave natyrore. Ajo synon që me sukses të përfundojë maturën shtetërore dhe të ndjekë ëndrrën e saj – të ndjekë akademinë për pikturë në Tiranë.
Ky është një prej rasteve të pakta ku të rinjt e shprehin kreativitetin e tyre, qoftë kjo edhe në mbrëmjen e maturës. Të merresh me pikturë nuk është lehtë në ditët e sotme, e lehtë nuk është as ta pikturosh fustanin tënd, kur dihet se jetojmë në një shoqëri luksi, ku antivlerat po mbizotërojnë vlerat.





