Teknologjia dhe mediat e reja kanë përshpejtuar ndikimin e informacionit duke e përhapur me një shpejtësi dhe intensitet më të madh dhe si i tillë ka një ndikim të jashtëzakonshëm në shoqërinë shqiptare. Megjithatë, pushteti i medias shpesh keqpërdoret deri në atë masë saqë vetë funksionimi i demokracisë kërcënohet. Rëndom shohim në mediet shqiptare, veçanërisht ato online, shkeljen e parimit të prezumimit të pafajësisë.
“Ja cila është vajza që u arrestua me grupin kriminal…”, “Këta janë dy djemtë që akuzohen për trafik…”, “Kush është trafikanti, pjesëtar i grupit mafioz…”, etj etj, janë disa ndër titujt e lajmeve në mediet online, ku janë të bashkëngjitura fotot edhe videot e marra nga rrjetet sociale private, ku janë publikuar pa qëllime mediale.
Pavarësisht parimit të prezumimit të pafajësisë, i cili siguron pafajësinë e të akuzuarit deri në vërtetimin e e fajësisë me vendim penal të formës së prerë, mediet online ekspozojnë identitetin dhe të dhënat personale të këtyre individëve. A kemi shkelje ligjore në këto raste? Sigurisht që PO!
“DurrësLajm” kërkoi të informohet më shumë rreth kësaj çështjeje, që e shohim thuajse çdo ditë në mediet shqiptare, ku gazetarët thyejnë haptazi etikën dhe parimet profesionale! Në një argumentim të plotë ligjor, avokatja Erisilda Shpata sqaron deri ku shkojnë kompetencat dhe të drejtat e gazetarëve dhe çfarë masash mund të marrin individët e prekur dhe të ekspozuar në medie.
Erisilda Shpata: “Prezumimi i pafajësisë është një nga parimet më themelore juridike dhe konsiderohet si baza e procesit modern të një gjykimi penal, parashikuar kjo në nenin 30 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenit 4 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë si dhe Neni 6, paragrafi 2 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ky parim siguron pafajësinë e të akuzuarit deri në vërtetimin e fajësisë me vendim penal të formës së prerë.
Publiku padyshim ka të drejtë të informohet në lidhje me krimet e kryera, si dhe rreth hetimit, ndjekjes penale dhe gjykimit të çështjeve penale. Megjithatë media do duhet të raportojë në mënyrë të paanshme dhe të lirë nga çdo paragjykim dhe të shmangë publikimin e akuzave të pabaza dhe të paverifikuara. Prandaj është e nevojshme që media të shmangë shfaqjen publikisht të një personi si fajtor përpara se ai/ajo të dënohet nga një gjykatë. Në veçanti, raporti duhet të specifikojë nëse personi i akuzuar u vetëdeklarua fajtor ose jo fajtor. Po ashtu, praktika më e mirë e gazetarisë është rasti kur nuk përmenden emrat e plotë por vetëm inicialet e personit të dyshuar apo akuzuar. Emri dhe/ose foto të një të dyshuari ose të akuzuari mund të botohet vetëm nëse ka interes publik në identifikimin e tij.
Shpeshherë, nga ana e mediave vihet re një tendencë për të shmangur këtë parim, e jo vetëm, duke hulumtuar në jetën private e familjare të personit∕të akuzuarit e duke mos ngelur lajmi vetëm tek raportimi për ngjarjen konkrete. Vihet re se nën justifikimin e lirisë së medias dhe interesit publik, parimet e respektimit të jetës private shkelen, duke u shoqëruar me paragjykime, për një krim që gjatë hetimit∕gjykimit mund të provohet edhe që nuk është kryer.
Zbatimi i parimit të prezumimit të pafajësisë, repektimit të të drejtës për jetë private, minimizon pasojat e procedimeve penale mbi viktimat, dëshmitarët, persona të lidhur me ta si dhe personat që janë nën hetim.”
-Çfarë shkeljesh ligjore kemi në një rast të ndodhur pak muaj më parë nga ana e medieve, të cilat kanë publikuar foto të marra nga rrjetet sociale të një vajze të arrestuar, e cila u vu në pranga së bashku me një grup djemsh të cilët akuzoheshin për shpërndarje të drogërave të forta në qytet, por e reja u la e lirë menjëherë nga togat e zeza sapo dolën në seancën e parë gjyqësore, ndërsa pamjet e saj ende sot qarkullojnë në portale?
E drejta e një gazetari për lirinë e shprehjes nuk është absolute. Gazetarët siç kanë të drejta kanë dhe “përgjegjësi” në raportimin e lajmit, që do të thotë se ata duhet të veprojnë me mirëbesim dhe të japin informacion të saktë dhe të besueshëm në përputhje me etikën e gazetarisë.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si akti themelor i rendit tonë kushtetues, përcakton parimet kryesore të respektimit të jetës private, duke specifikuar në nenin 35 të tij, si më poshtë:
1. Askush nuk mund të detyrohet, përveçse kur e kërkon ligji, të bëjë publike të dhëna që lidhen me personin e tij.
2. Mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e të dhënave rreth personit bëhet me pëlqimin e tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj.
3. Kushdo ka të drejtë të njihet me të dhënat e mbledhura rreth tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj.
4. Kushdo ka të drejtë të kërkojë ndreqjen ose fshirjen e të dhënave të pavërteta ose të paplota ose të mbledhura në kundërshtim me ligjin.
Sa më sipër provohet që së pari mediat, portalet online kanë shkelur parimet kushtetuese, që mbrojnë të drejtën për mbrojtjen e të dhënave private. Edhe nëse profilet e rrjeteve sociale të vajzës mund të kenë qenë të hapur për publikun, është totalisht e paligjshme, marrja e këtyre fotove dhe përdorimi i tyre për të ilustruar lajmin/kronikën. Subjekti i të dhënave, nuk ka lëshuar asnjë lloj deklarate me shkrim, e dhënë shprehimisht me vullnet të plotë e të lirë për të autorizuar përpunimin e këtyre të dhënave dhe sipas ligjit, personat e zakonshëm (jo persona publik) gëzojnë një nivel të lartë të respektimit të jetës së tyre private.
Në anën tjetër, Ligji Nr.9887, datë 10.3.2008 “PËR MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE” është instrumenti kryesor i legjislacionit shqiptar që trajton në detaje të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale në Shqipëri. Dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave zbatohen për përpunimin e të dhënave personale të subjekteve të të dhënave (qytetarëve/individëve), të kryer nga kontrolluesit/ përpunuesit përkatës me mjete automatike ose të tjera. Sipas Udhëzimit Nr. 9 dhe 31 të Komisionerit për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale, mediat përveç publikimit të thelbit të informacionit, nuk duhet të publikojnë lajme apo fotografi të personave të përfshirë në ngjarje që cenojnë dinjitetin e personit, nuk duhet të marrë ose të prodhojë imazhe dhe fotografi të personave në gjendje të ndaluar/arrestuar, pa pëlqimin e tyre, përveç rasteve kur këto imazhe/fotografi janë me interes të rëndësishëm publik, ose për qëllime të justifikuara.
-Përveç dëmit psikologjik dhe prishjes së imazhit të një vajze të re, çfarë masash mund të ndërmarrë familja ndaj medieve?
Vetë e dëmtuara, mund t’i drejtohet Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale me një ankesë, duke sqaruar shkeljen e të drejtës së saj në përdorimin e të dhënave personale e të kërkojë në këtë mënyrë që ky autoritet të mund të rivendosë të drejtën e shkelur. Njëkohësisht, Ligji i njeh të drejtën personit të dëmtuar që të kërkojë dhe kompesimin/shpërblimin e dëmit të shkaktuar asaj si pasojë e ndërhyrjes të padrejtë në jetën e saj private, mbledhjen, përpunimin e të dhënave të saj personale dhe ripublikimin e tyre.
-A është thyer në këtë rast Ligji Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pavarësisht se profili në rrjetet sociale është i hapur?
Po, siç e shpjegova dhe më lart. Qytetarja mund t’i drejtohet edhe Autoritetit të Medias Audiovizive, duke kërkuar ndërprerjen e trasmetimit të të dhënave personale, anonimizimin e tyre dhe sipas rastit edhe fshirjen e atyre të dhënave të cilat e bëjnë atë të identifikueshme për publikun.
-A ka neglizhenca nga ana e gjykatave në këto raste për paditë që ngrihen kundrejt medieve?
Përgjithësisht praktika të tilla gjyqësore janë shumë të pakta, për shkak dhe të mungesës së kulturës juridike të qytetarëve. Perceptimi deri diku i gabuar për lirinë e medias, deri në ndërhyrje dhe në jetën private të personave private, edhe në raportimin e krimeve, vazhdon të tolerojë shkeljen e këtyre parimeve kaq të rëndësishme. Në të tilla kushte, unë vlerësoj se ka raportim apo ankesa të pakta të qytetarëve në lidhje me shkeljet e mësipërme.
KAPËRCIMI I KUFIJVE TË INFORMACIONIT MUND TË ÇOJË NË PASOJA KATASTROFIKE
Sipas Manualit të hartuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i raportimit për standardet e shtetit ligjor në Serbi, Maqedoni, Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje dhe Herzegovinë” me mbështetjen e Shoqatës së Avokatëve Amerikanë, Iniciativa për Shtetin Ligjor (ABA ROLI), Media ka atë lloj roli, e cila “ndonjëherë përmes kapërcimit të kufijve të informacionit ose informacionit të pasaktë çon në pasoja katastrofike në jetën e një individi ose të një shoqërie!”
*Si liria e shtypit dhe prezumimi i pafajësisë janë të domosdoshme për demokracinë, pasi e para mban një publik të informuar dhe i fundit mbron të drejtat e të akuzuarit. Në Shqipëri mediat dhe komunikimet në të gjitha fushat, iu nënshtruan një evolucioni të konsiderueshëm. Marrëdhënia në mes të publikut dhe informacionit ndryshoi. Zhvillimi i medias në internet dhe rrjetet sociale tani gjeneron një rrjedhë të vazhdueshme informacioni në të cilën publiku dhe media duhet të drejtohen. Individët nuk kërkojnë informacion vetë; ata presin që informacioni t’ju vijë. Pra, nocioni i “publikut” ka evoluar: sigurimi i aksesit të publikut në gjykatë nuk perceptohet më si i mjaftueshëm për të marrë një vendim “publik”.
Qënia e ekzistencës publike nënkupton aksesueshmërinë, e cila nga ana e saj kërkon sjelljen e informacioneve të thjeshta, të kuptueshme dhe të sakta për një gamë sa më të gjerë të individëve. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të garantojnë kryerjen e proceseve në pajtim me parimin e shtetit ligjor, prezumimin e pafajësisë, gjykimin e drejtë dhe rregullin se drejtësia jepet vetëm nga gjykata. Atëherë, si funksionon drejtësia nën një presion kaq të lartë të interesave publike dhe medias? Në Shqipëri, prokurori drejton hetimin paraprak dhe ai është përgjegjës për zbulimin e informacionit të marrë gjatë fazës hetimore, përpara gjykimit, prandaj është detyrë e prokurorit të shpjegojë rastin për publikun dhe të garantojë parimet e ndjekjes penale të drejtë dhe prezumimin e pafajësisë.
Informacioni i ofruar për publikun është zakonisht i përgjithshëm pa zbuluar provat dhe duke mbrojtur të gjitha palët në proces, duke përfshirë dëshmitarët, për të mos përmendur viktimat dhe të dyshuarit, në rast të një interesi të lartë publik që matet përmes parimit të proporcionalitetit sipas cështjeve konkrete. Media përmes monitorimit, informacionit dhe mbulimit masiv, i jep publikut një imazh të realitetit ku jeton dhe përtej, bëhet një aleat i sistemit të drejtësisë nëpërmjet denoncimeve të shkeljeve të zyrtarëve, abuzimeve të tyre dhe abuzimeve të institucioneve të ndryshme dhe kjo është pjesa më e mirë, por nga ana tjetër, ndonjëherë kapërcimi i kufijve të informacionit ose informacioni i pasaktë çon në pasoja katastrofike në jetën e një individi ose të një shoqërie.
LINÇIMI PSIKOLOGJIK SHTON VUAJTJEN PSIKOLOGJIKE
Si ndikojnë të gjitha këto situata në stabilitetin social dhe mental të individëve që bëhen pjesë e mediave pa dëshirën e vullnetin e tyre, psikologia Igla Tafili i shpjegon gjerësisht për “DurrësLajm” si më poshtë:
Igla Tafili: “Ekspozimi publik po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në botën dixhitale dhe shqetësimet për humbjen e privatësisë ndonjëherë lihen mënjanë, me njerëzit që fokusohen në marrjen e përfitimeve nga shfrytëzimi i këtyre teknologjive moderne dhe nga të tjerë pseudo-profesionistë që nxitojnë të publikojnë çdo gjë që gjejnë, veçanërisht në situatat e lajmit të fundit, duke e bërë individin ushqim për spekullime të shfrenuara dhe duke lënë gjurmë në dosjen e tij dixhitale.
Sipas Maslow (psikolog humanist), nevojat njerëzore janë të rregulluara në një hierarki, me nevojat fiziologjike (që i shërbejne mbijetesës) në fund, dhe nevojat më krijuese dhe intelektuale të ‘vetëaktualizimit’ në krye. Nevoja për siguri renditet fill pas nevojave bazike për ushqim, ujë dhe gjumë. Këto nevoja për siguri plotësohen nga familja, shoqëria, dhe nga një qeveri që siguron ligjin e rendit, lirinë nga frika, stabilitetin social dhe mirëqenien.
Në shoqëri të tilla, pavarësisht faktit nëse një individ, me vullnetin e tij të lirë, zgjedh të bëjë publike dhe të ndajë me komunitetin e tij ose të saj në rrjete sociale, imazhin, jetën sociale, përditshmërine apo çfarëdo aktivitet tjetër të interesit personal në dritaren e tyre sociale, çdo përdorim i paautorizuar i këtij informacioni, jo vetëm që përbën shkelje të ligjit, por dhe cënon mirëqenien psiko-emocionale te individit dhe ndjenjën e tij të sigurisë, sidomos nëse përdoret për lajme si rasti konkret. Lajme që, duke kërkuar të shkojnë te publiku me gjetjen e një fajtori, cënojnë identitetin social të personit mbi të cilin bëhet lajmi, duke mos ruajtur etiken e prezumimit të pafajësisë dhe konfidencialitetit të të dhënave personale. Në çdo rast, publikimi i të dhënave personale, nxit linçimin në masë nga një publik që, pa vënë në pikëpyetje vërtetësinë e lajmit dhe me mungesë të theksuar empatie, bën gjyq publik.
Nisur nga rasti konkret dhe për t’u rikthyer te Maslow, cënimi i privatësisë për të publikuar lajme të ndërtuara mbi histori të tilla që janë në vëmendjen dhe interesin e publikut të gjerë, shkatërron nevojën për siguri dhe besimin se instancat që duhet ta garantojnë këtë siguri do të jenë të afta ta bëjnë në vazhdim. Kërkimet e bëra mbi dhunimin e sigurisë kanë gjetur se episode të tilla pushtojnë hapësirën personale dhe ndjenjën e sigurisë së njerëzve. Kjo çon në hipervigjilencë, dyshime, frikë të vazhdueshme dhe paranojë në disa raste. Viktimat e kanë të vështirë të përcaktojnë nëse njerëzit u afrohën për t’u ofruar mbështetje apo për të marrë më shumë informacion rreth ngjarjes në të cilën janë të përfshirë. Kjo paaftësi e madhe e fituar për të mos u besuar njerëzve lidhet me nivelet e larta të stresit, ankthit dhe lodhjes ekstreme.
Ankthi social do të ishte përgjigjja më e pritshme e manifestimit të vuajtjes psikologjike menjëherë pasi individi është ekspozuar ndaj një situate të tillë. Duke parë sesa të pamëshirshme mund të jenë komentet në rrjetet sociale dhe sa paragjykuese bëhet shoqëria kur u serviret një fajtor me fotografi dhe emër, tërheqja nga çdo komunitet apo ambient që kërkon interaktivitet social është një përgjigje e pritshme ndaj traumës së pësuar. Marrëdhëniet fillojnë të ndërtohen mbi paragjykimin e një aktakuze; miqtë, familjarët, fqinjtë, të njohur e të panjohur, që kanë gjithmonë diçka për të thënë në situata të tilla, e shtyjnë viktimën të izolohet gjithmonë e më shumë derisa të shkëpusë çdo lidhje sociale dhe ndjenjat e pasigurisë, frikës, dështimit, fajit, turpit i lënë vend çrregullimeve shumë më të rënda emocionale si depresioni. Të jetuarit në një ambient që të kujton çdo moment implikimin me ligjin, në një shtet si Shqipëria ku gjithkush njeh gjithkënd dhe secili di diçka për dikë, mund ta çojë vuajtjen psikologjike të viktimës deri në pikën e konfuzionit të identitetit social. Viktima fillon të përvetësojë mendimet e të tjerëve dhe e sulmuar nga ndjenja e turpit, e fajit, ja atashon identitetit të saj duke e bërë veten fajtore dhe duke qenë një publik edhe më i ashpër ndaj vetes sesa ata që gjykojnë nga jashtë. Ky ndryshim në vetëkonceptim i hap rrugën një kalvari të gjatë vuajtjeje psikologjike, metodash të pashëndetshme të përballimit të stresit, të përgjigjes ndaj tij dhe potencalisht, një udhëtimi të gjatë drejt gjetjes së vetvetes dhe shërimit.
Vlen për t’u përmendur që njeriu nuk jeton i vetëm në komunitet dhe viktimave të këtyre rasteve u duhet të përballen edhe me dhimbjen e linçimit publik të familjeve të tyre, të afërmve apo miqve, çka shton vuajtjen psikologjike, keqmenaxhimin dhe përfundimin në izolim, ankth e depresion. E gjitha kjo përsëritet si rreth vicioz sa herë që dikush i referohet viktimës me preçedentin e saj penal dhe jo me identitetin e saj.
Të ekspozuarit e jetës online nuk i bën individët më pak të përgjegjshëm, përkundrazi, mbrojtja e identitetit të tyre duhet të jetë prioritet i profesionistëve. Nëse një shoqërie i tronditet baza e sigurisë, anëtarëve të saj do t’u duhet të kapërcejnë frikën përsëri dhe përsëri”.
Monitorimi i proceseve penale – manual për gazetarët
Sfidat e ardhshme në Shqipëri:
*Organet e sistemit ligjor shqiptar duhet të shpjegojnë parimet, zgjedhjet dhe strategjitë e funksionimit të tij në frymën e “shtetit të hapur”;
*Është e nevojshme të rritet vetëdija për ndikimin dhe rëndësinë e komunikimit, veçanërisht në rastet e nivelit të lartë;
*Dialogu ndërmjet mediave dhe sistemit ligjor duhet të jetë i vazhdueshëm, veçanërisht, në kohën kur nuk shfaqen “kriza”, sepse atëherë është më e lehtë të zgjidhet “kriza” kur gjendemi përpara saj.
*Sistemi gjyqësor duhet të dakordësohet me një strategji të komunikimit të procedimeve penale, dmth kur, deri në çfarë mase, nga kush dhe për kë duhet të sigurohet informacioni; Është e domosdoshme t’i përmbahesh kësaj strategjie dhe të përhapësh mesazhin për sfondin dhe natyrën e saj.
*Sistemi gjyqësor në Shqipëri duhet të garantojë parimin e shtetit ligjor, ndjekjen e drejtë penale dhe prezumimin e pafajësisë.
S.L.