PRRENJAS, 5 tetor 2013 – Një maune me targa të Korçës është përfshirë nga flakët e zjarrit, fatmirësisht drejtuesi i mjetit është në gjendje të mirë shëndetësore.
Burime nga policia bëjnë të ditur se maunia vinte nga qyteti i Korçës, në drejtim të Durrësit, dhe në vendin e quajtur “Kthesat e Qafë-Thanës” është përfshirë nga flakët.
Kanë qenë drejtues të rastit në këtë aks rrugor ato që kanë ndihmuar drejtuesin e mjetit të dalë menjëherë nga maunia, dhe më pas me mjete primitive të shuajnë zjarrin që përfshiu thuajse të gjithë pjesën e përparme të saj.
Ndërkohë, policia po vijon hetimet për të zbardhur të plotë rrethanat e rënies së zjarrit në momentin kur mjeti ka qenë në lëvizje.





