Kapiteni i kuqezinjëve Mërgim Mavraj e komentoi kështu grupin H në të cilin ndodhen kuqezinjtë, ndërsa dha një mendim edhe për grupin e Kosovës. 

Sa shanse ka Shqipëria? 
Për mundësi dhe shanse është e vështirë të flasim tani. Kemi pasur ndeshje të mira me Francën dhe Turqinë. Me këtë grup, e dimë që Islanda ka ecur shumë përpara, është e fortë. Islandën dhe Turqinë i kemi kundërshtarë kryesorë. Nëse ia dalim në këto ndeshje, kemi shumë mundësi. 

Mendon se me Turqinë dhe Islandën, kë shikon skuadër më të vështirë? 
Islanda është më e vështirë për të luajtur, se është një ekip që kurrë nuk e anashkalon kundërshtarin. E përgatit ndeshjen në mënyrë maksimale, dhe luftojnë në çdo ndeshje. Është më e vështirë kundër tyre, dhe kanë fituar shumë vetëbesim. Kurse Turqia është ende në ndërtim, kanë ndërruar trajnerin. Islanda është pak më e fortë se Turqia, por të dyja janë të vështira. 

Grupi i Kosovës, derbi me Bullgarinë dhe Malin e Zi… 
Është e vështirë të flasësh për skuadra të tjera që nuk e njoh mirë, por me Malin e Zi dhe Anglinë, për kosovarët do jetë një ndeshje e jashtëzakonshme. Me këtë formë që kanë momentalisht, mendoj se mund të arrijnë ndonjë rezultat pozitiv.