DURRËS, 29 TETOR 2014–  Dhunës së shkaktuar nga tifozët serb në mbrëmjen e 14 tetorit në sfidën mes Shqipërisë dhe Serbisë, nuk kishte si t’i shpëtonte as mbrojtësi, Mërgim Mavraj. Edhe ai mori goditje me grusht nga një huligan serb, por thotë se nuk pësoi asnjë lëndim. Gjithsesi, kjo nuk po e shqetëson shumë mbrojtësin e Këlnit. Ai deklaron se është i tensionuar deri në momentin që FIFA do të marrë vendim më 23 tetor për fatin e duelit të ndërprerë në minutën e 41-të. “Përderisa nuk ka vendim nga UEFA, nuk kam qetësim shpirtëror”, është shprehur Mavraj.

Ai vazhdoi të shpjegojë tmerrin që përjetuan të gjithë futbollistët në fushën e stadiumit të Beogradit. “Ishte hera e parë që përjetova një gjë të tillë. Hera e parë edhe për shokët e ekipit. Ishte vërtet tmerr. Shpresoj të mos ndodhë më”, shtoi Mavraj. I pyetur se cili ka qenë momenti më i vështirë gjatë gjithë asaj që ndodhi, ai theksoi se gjatë gjithë kohës ka qenë në siklet. “Çdo moment ishte i vështire. Nuk mund të saktësoj se kur jam ndierë më keq, pasi gjatë të gjithë kohës isha në siklet”. Fotot e publikuara nga agjensitë e ndryshme botërore tregojnë një rast kur një huligan serb vrapon për ta grushtuar Mavrajn. Mbrojtësi kosovar kishte zgjatur dorën dhe me qetësi e priste huliganin që po vinte në drejtim të tij. “Reagova me qetësi, sepse që nga minuta e parë e ndeshjes isha i sigurt se do të shpërthente dhuna”, tregon Mavraj, i cili nuk u lëndua nga ajo goditje. “Jo, u vetëmbrojta dhe fatmirësisht nuk mora lëndime”. Për këtë gjest, nga mediat gjermane, Mavraj është vlerësuar si një karateist i përgatitur mirë për një situatë të tillë. Sa i përket dronit me flamurin e Shqipërisë etnike, mbrojtësi shtatlartë theksoi se ishte tejet i emocionuar kur e pa. Ato momente, tifozët serb filluan të gjuanin me fishekzjarrë në fushë deri sa e detyruan gjyqtarin anglez, Martin Atkinson, ta ndalonte lojën. “I tregova arbitrit se ne nuk dimë asgjë nga vjen ky flamur, nuk ishte plani ynë për ta sjellë në stadium”, nënvizon Mavraj. Pas gjithë kësaj, Mavraj shpreson se UEFA do të marrë një vendim pro Kombëtares shqiptare, pasi të gjitha faktet, sipas tij, janë në anën e tyre. “Të gjithë e dinë se ne ishim viktimë e asaj dhune dhe me këtë rast nuk ka zgjidhje tjetër veç faktit që Shqipërisë t’i jepen tri pikë”, pohoi Mavraj. Nga ana tjetër, ai nuk dëshiron të mendojë se Shqipëria mund të dënohet, duke përsëritur se shqiptarët kanë qenë viktimë e dhunës në Beograd. Siç dihet, vendimi për ndeshjen e ndërprerë do të merret të mërkurën.