Konservatorët e Theresa May e humbën shumicën parlamentare në zgjedhjet e parakohshme të së enjtes, por ajo do të vazhdojë të mbetet në krye të ekzekutivit, falë partisë “DUP”, me të cilën do të krijojë një qeveri pakice.
Në fund të numërimit të votave, konservatorët rezulton të kenë siguruar 319 vende në Parlament, nga 326 që nevojiteshin për një shumicë të rehatshme.
Por pavarësisht dështimit spektakolar për të zgjeruar edhe më shumë mazhorancën, mbështetja e partisë më të madhe politike në Irlandën e Veriut e çoi Mayn në “Buckingham Palace” për të kërkuar lejen e krijimit të qeverisë së re, e cila do të ofrojë sipas saj stabilitet dhe do ta mbajë vendin të sigurtë.
Përfundimi kaq i papritur i një fushate, të mbushur me parashikime për fitore historike të konservatorëve, ngriti menjëherë pyetjen nëse kryeministrja duhet ta ruante në vazhdimësi pozicionin e saj në “Downing Street”, gjë të cilën ajo e hodhi poshtë që në fillim.
Rezultati rrezikon të çorientojë planet e largimit nga Bashkimi Europian, duke kërcënuar ta lërë Britaninë pa organizim vetëm disa ditë përpara fillimit të bisedimeve me udhëheqësit europianë mbi kushtet e “Brexit”-it.
Kryeministri francez, Edouard Philippe tha megjithatë se vendimi befasues i popullit britanik nuk e vë në pikëpyetje daljen e vendit nga BE-ja. Ndërsa gjermanët konsiderojnë se goditja ndëshkuese e publikut britanik do t’i bëjë bisedimet e “Brexit”-it edhe më të vështira e më komplekse.
May gjen votat, mandatohet të krijojë qeverinë
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit