3 maj 2015 – Një ndeshje boksi ku më shumë se spektakli dominoi përulësia dhe respekti ndaj kundërshtarit. E tillë ishte edhe sfida Mawyeather-Pacquiao në të cilën dy boksierët u shfaqën të qetë dhe uruan njëri-tjetrin pas 12 raundeve të lodhshme ku fitoi boksimi inteligjent i Floyd.
Në intervistën menjëherë pas shpalljes së rezultatit, Mayweather e pranoi se këtë ndeshje e kishte studiuar në detaje.“Falënderoj Zotin për këtë fitore. Falëndëroj gjithashtu edhe të gjithë fansat që erdhën nga çdo cep i botës. Pacquiao është një luftëtar i vërtetë dhe tani e kuptoj pse ai është një nga njerëzit më të suksesshëm të historisë së boksit. E dija që do të më sulmonte por arrita ta mbaja larg. Besoj se u tregova një boksier i zgjuar pasi e nxorra jashtë loje. Bëra atë që duhej të bëja dhe mendoj se jam vërtet i bekuar. E llogarita ndeshjen deri në detaje edhe pse im atë dëshironte që të bëja më shumë, por unë mora kohën e duhur duke e studiuar Manny-n nga afër. Ndeshja ime e fundit do të jetë në muajin shtator dhe më pas mendoj se duhet të largohem”.
Një deklaratë e ftohtë dhe deri diku e kuptueshme nga amerikani që konfirmon edhe një herë dëshirën për t’i dhënë fund me boksin. Në krahun tjetër, Pacquiao u shpreh disi i zhgënjyer por krenar për ndeshjen e zhvilluar në Las Vegas ku u përqëndrua vëmendja e gjithë botës.
“Zhillova një ndeshje të mirë dhe mendova se kisha fituar. Ai nuk bëri asgjë, thjesht lëvizi në cepat e ringut. E kisha në duart e mia shumë herë dhe mendoj se jam unë fituesi i kësaj sfide. Nuk është e lehtë kur kundërshtari lëviz shumë dhe je i detyruar ta sulmosh. Unë isha në gjendje të menaxhoja fuqinë e tij. Kam parë kundërshtarë edhe më të fortë”.
Por nëse Mayweather e ka vendosur fatin e së ardhmes, pikëpyetjet për Pacquaion janë të mëdha. Kjo ndeshje mund të rezultojë vendimtare për vendimin që do të marrë filipinasi, i cili mund të kërkojë një ndeshje tjetër, por nuk përjashtohet mundësia që ai të angazhohet me kohë të plotë në politikë për të hedhur bazat e kandidaturës së tij për preësident në Ishujt Filipine pas 4 vjetësh.
Ndërkohë, menjëherë pas kësaj sfide kanë reaguar disa nga emrat më të mëdhenj të boksit profesionist. Oscar De La Hoya e cilësoi një turp atë çfarë u shfaq në arenë duke u kërkuar falje fansave të vërtetë të këtij sporti. Ndërkohë Amir Khan uroi Mayweather për përformancën e treguar.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





