Boksi dukej sport i rëndë për Conor McGregor, i cili është mësuar me një tjetër stil luftimi. 12 raunde ishin shumë për të, ndryshe nga kundërshtari i tij që është mësuar me të tilla.
Floyd Mayweather pas grushteve të lëshuara pareshtur në raundin e 10, bëri që gjyqtari ta mbyllte ndeshjen në atë moment.
Në një prezencë të madhe njerëzish, Floyd Mayweather provoi edhe një herë se është i pamposhtur, me 50 fitore dhe asnjë humbje në karrierën e tij.
Kështu e mbyll një eksperiencë të gjatë në ring, boksieri 40-vjeçar, i cili provoi se mosha është thjesht një shifër.
Conor McGregor në fund të ndeshjes përgëzoi boksierin amerikan, si dhe përshëndeti numrin e madh të irlandezëve që shkuan për ta parë në Las Vegas.
Mayweather me këtë ndeshje shpëtoi veten nga sytë e një publiku që kishte filluar ta gjykonte pas ndeshjes me Manny Pacquiao. Floyd Mayweather, “Njeriu i Parasë”, tani është njeriu i historisë. Fitorja e 50 e ngre atë edhe një herë në piedestal si i pamposhtur. “50 fitore dhe largohem,” e konfirmoi vetë ai sot duke thënë se kjo ishte ndeshja e tij e fundit. Mori atë që deshi, prestigjin dhe paratë.
McGregor? E filloi aq fuqishëm sa dhe premtonte por në fund mori ndëshkimin e tij si luftëtar kafazesh. Dhe nga kjo që u pa, ka ende dyshime se ndeshja më e shtrenjtë në historinë e boksit e të gjitha kohërave u bë për t’i shërbyer nevojave dhe dëshirave të Mayweather.
Ka zëra se ai do të arkëtojë në llogarinë bankare 300 mln dollarë për 10 raundet e fundit të karrierës së tij. E ndërsa McGregor mer dhe ai një shumë marramendëse prej 100 milion eurosh, përsëri do të jetë Mayweather ai që mban “titullin e perandorit”.





