Pasi ka deklaruar javën e kaluar se nuk ka më ndërmend të merret me sporte luftarake, për t’u rikthyer në ring apo debutuar në kafaz, kampioni absolut i dorezave Floyd Mayweather ka habitur të gjithë sot kur ka thënë se ka ftuar për sfidë një tjetër kampion, atë të NBA-së, Kobe Bryant.
Jo në një duel boksi, por në një ndeshje basketbolli, ku fituesi do të marrë 1 milion dollarë. Pas një postimi në “Instagram” nga Kobe Bryant, ka qenë një koment i Floyd Mayweather ai që ka habitur të gjithë, që fton në një duel “tek për tek” ikonën e NBA-së, 5 herë kampion me Lakers. Mayweather ka qenë javën e kaluar në Los Anxhelos, në ndeshjen që Lakers zhvilluan me Golden State dhe ku u bë tërheqja zyrtare e fanellave me nr.8 dhe 24 të Bryant.
Dy ikonat e sportit amerikan jan miq me njëri-tjetrin, me Mayweather që ka ndjekur “live” mjaft ndeshje të Lakers dhe Bryant, tashmë të dy kampionë që janë tërhequr nga sporti. Ajo që bie në sy është basti i lartë i vendosur nga Mayweather, një personazh që gjithnjë është mësuar të fitojë në baste. Nuk dihet nëse Bryant do ta pranojë sfidën e lëshuar nga boksieri i pamposhtur.





