Tiranë, 10 mars 2014 – Kuvendi i Shqipërisë miratoi gjatë seancës plenare me 84 vota pro të maxhorancës, dy projektligje të rëndësishme, atë të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale në Republikën e Shqipërisë, si dhe p/ligjin “Për dhënie amnistie”.
Opozita ndërkohë nuk mori pjesë në votim. Më herët opozita u largua nga Kuvendi pas gati dy orë debatesh, ku akuzuan kryetarin Ilir Meta për shkelje të rregullores, që kishte të bënte me mos mbledhjen e seancës plenare të enjten e javës së shkuar.
Seanca plenare ka nisur me debate të ashpra, të përqendruara kryesisht tek anulimi i seancës të enjten e kaluar. Opozita tha se kryetari i Kuvendit, shkeli rregulloren, duke njoftuar një vendim për të cilin nuk ishin mbledhur me parë krerët e grupeve parlamentare. “Nuk është bojkot,- deklaroi kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike,- por një marrëdhënie e kushtëzuar me Kuvendin”, ndërsa deputetët e opozitës u larguan nga salla, kur nisi diskutimi i projekt-ligjeve. Në nisje të seancës parlamentare deputetët demokratë akuzuan mazhorancën për shkelje të ligjit dhe Kushtetutës.
“Kjo mazhorancë po shkel gjithçka me këmbë, po shkel ligjet dhe Kushtetutën. Prej disa muajsh kemi marrë qëndrim të kushtëzuar ndaj Parlamentit, por jo se do braktisim Kuvendin. Kjo mazhorancë po bën çdo gjë për të penguar marrjen e statusit të vendit”, u shpreh kreu i ligjvënësve demokratë, Edi Paloka.
Sipas deputetit demokrat, Aldo Bumçi mohimi i statusit nuk erdhi nga ekstremistët e Bashkimit Europian. Madje, sipas tij, Komisionieri Fyle rrëzoi alibinë e Ramës dhe Metës për marrjen e statusit.
Por, z. Meta shpjegoi se Kuvendi u mblodh në datën 5 mars dhe se p/ligjet e parashikuara për datën 6 mars nuk kishin përfunduar diskutimet në Komisionet Parlamentare. Pas përfundimit të votimit të dy p/ligjeve që kërkonin shumicë të cilësuar, opozita u rikthye në Kuvend për të vijuar me interpelancën e Kryeministrit, Edi Rama kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli për rendin dhe sigurinë në vend.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





