Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka thirrur ditën e sotme në orën 10:00 Konferencën e Kryetarëve, ku pritet që të miratohet kalendari për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Ishte kreu i grupit parlamentar të PS-, Gramoz Ruci, i cili përmes një letre drejtuar Metës, kërkonte që ky i fundit, në cilësinë e kreut të Kuvendit të niste procedurat për zgjidhjen e presidentit të ri.

Po ashtu, në letër, Ruci kërkon që raundi i parë i votimit për kreun e ri të shtetit të zhvillohej me datën 19 prill.

Edhe pse në kushtet kur situata politike është shumë e ndezur, pasi opozita ka bojkotuar Kuvendit, si dhe ka më shumë se një muaj që po proteston para kryminstrisë, mazhoranca duket e vendosur për nisur procedurat për të zgjedhur zëvendësuesin e Bujar Nishanit.

Pas ndryshimeve të fundit të kushtetutës, ajo parashikon që presidenti të zgjidhet në 5 raund votimesh, ku në tre të parat kërkohet një shumicë prej 3/5, 84 vota, ndërsa në dy raundet e dyta presidenti mund të zgjidhet me 71 vota.