DURRËS, 9 tetor 2014– Situata në Bankën e Shqipërisë, pavarësisht masave të mazhorancës dhe mesazheve inkurajuese, vijon të paraqitet e nderë, tensionuese dhe jashtë kontrollit. Lajmet se, vala e arrestimeve është ndalur përkohësisht thjeshtë për të ruajtur stabilitetin e financave, ka futur në panik dhe paranoja pjesën e kupolës drejtuese të Bankës së Shqipërisë, e cila i shpëtoi prangave. Ndërkaq, mësohet se rrethi i arresteve do zgjerohet sërish menjëherë sapo mazhoranca të plotësojë disa nga vendet vakante në Këshillin Mbikqyrës. Nga ana tjetër, paniku dhe tensioni është në një shkallë të tillë, saqë një anëtar i Këshillit Mbikqyrës, konkretisht Petraq Milo, ka shkuar për të gjetur strehim në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, aty ku janë strehuar të gjithë personazhet me dosje, me llogari të hapura me drejtësinë dhe që rrezikohen nga shteti ligjor. Situata është e paprecedentë në historinë e pluralizmit shqiptar dhe në historinë e Bankës së Shqipërisë. Neni 47 pika “ç” i ligjit për Bankën e Shqipërisë parashikon që anëtari i Këshillit Mbikqyrës pezullohet, kur gjatë ushtrimit të detyrës, në mënyrë aktive merr pjesë në veprimtari politike.

 Po çfarë ka ndodhur? Petraq Milo, anëtar i Këshillit Mbikqyrës, jo vetëm merr pjesë aktive në veprimtari politike, por ai është zgjedhur disa ditë më parë anëtar i Këshillit Kombëtar të PD. Emri i tij është shpallur publikisht nga SHQUP si pjesë e forumit të lartë të PD. Në bazë të ligjit për BSH, Petraq Milo sot nuk është më anëtar i Këshillit Mbikqyrës. Ndërkaq, shkarkimi i tij, pritet të jetë një fakt formal dhe i pashmangshëm nga qeveria. Largimi i tij, pritet të firmoset nga kryeministri Rama, pas plotësimit të vendeve të para vakante. Mazhoranca qeverisëse ka përzgjedhur tetë kandidatë për katër vende vakante në Këshillin Mbikqyrës, pa llogaritur vendin e Petraq Milos. Për përzgjedhjen e katër kandidatëve finalë, kryeministri Rama ka ngritur një këshill special me ekspertë të fushës.

/Sot News/