Mazhoranca në Parlament ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi për një mocion me debat për raportin e OLAF për fondet e bujqësisë.
Bardhi tha në Kuvend se mocioni u kërkua pas një raporti zyrtar të OLAF dhe jo në bazë të aludimeve apo thashethemeve.
Ai shtoi se ky raport duhet t’i jetë vënë në dispozicion edhe Ministrisë së Bujqësisë dhe nëse nuk i është vënë, atëherë sipas tij kjo ministri është shpallur “skenë krimi”.
Ndërsa Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, iu përgjigj akuzave të opozitës për bllokim të mocionit me debat lidhur me çështjen e fondeve të programit IPARD.
“Në lidhje me mocionin me debat dhe rezolutën e propozuar nga grupi i PD, ne kemi mbajtur qëndrim shumë të qartë në Konferencën e Kryetarëve. Jemi dakord të zhvillojmë debat për një cështje kaq të rëndësishme për një sektor jetik si bujqësia. Por pikërisht në mbrojtje të interesit të fermerëve dhe të përpjekjeve që bën qeveria për zhbllokimin e fondeve, ne kemi thënë që është i parakohshëm ky debat derisa raporti i OLAF është konfidencial. Ka vetëm një paragraf në raportin vjetor të OLAF për 2023, ku përmenden të gjitha shtetet ku ka shkelje të procedurave për fondet e BE. Është vetëm ky paragraf është publik. Prandaj ne propozuam që pasi ky proces të realizohet, ne duhet ta bëjmë këtë debat pasi të jetë e sqaruar kjo situatë. Në jemi të hapur për ta bërë këtë debat. Ky është qëndrimi ynë. Na duhet cdo e dhënë për debatin, me qëllimin e mirë në interes të fermerëve. Ato pyetje që shtroi sot kreu i grupit të PD, kemi sot interpelancë me ministren e Bujqëisë”, deklaroi Çuçi.
Në fund kryetarja e Kuvendit hodhi në votim kerkesen, e cila u rrezua me votat e mazhorances.