TIRANË- Gjatë punimeve të seancës së sotme parlamentare është diskutuar edhe kërkesa e socialistëve për të ngritur një komision hetimor për të verifikuar shtimin e popullsisë në qarkun e Kukësit, por mazhoranca ka votuar kundër saj. Kuvendi e rrëzoi me 69 vota kundër dhe 62 vota pro kërkesën e Partisë Socialiste.

Në emër të shumicës, deputeti i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, propozoi rrëzimin e kërkesës si "antikushtetuese'. Deputeti socialist Damian Gjiknuri tha se refuzimi i ngritjes së këtij komisioni fsheh krimin e parë elektoral.

Deputetët e të dy palëve debatuan gjatë rreth kërkesës në fjalë, duke deklaruar qëndrime të kundërta për ligjshmërinë e saj. Dy krerët e grupeve parlamentare Gramoz Ruci dhe Astrit Patozi debatuan në lidhje me këtë çështje. 

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi deklaroi se me tre apo katër mandate në Kukës, mazhoranca do të humbasë në zgjedhjet e ardhshme. 

“Që të të votojë një qark, që të kesh 8 vjet në pushtet dhe 65 % jetojnë me asistencë sociale, vetëm nga ky tregues e keni të humbur Kukësin”,- tha Ruçi.

Pas fjalës së Gramoz Rucit erdhi edhe reagimi i PD-së përmes Astrit Patozit, i cili tha se PD është e gatshme të pranojë çdo kërkesë të opozitës, por ato bien në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën.

“Së pari dëshiroj të ritheksoj predispozitën për të mos refuzuar asnjë kërkesë për hetim parlamentar. Kjo se PD dhe qeveria nuk kanë asgjë për të fshehur. Ne nuk vendosim kushte, kërkesat e tyre nuk janë në konflikt me ne por me Kushtetutën e ligjet e vendit”.