- Ministria e Brendshme ka nisur kallëzimin penal për 20 ish-punonjës pasi i kanë shkaktuar një dëm shtetit prej qindra mijëra dollarësh
Tiranë, 1 prill 2014 – Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë kallëzim penal në prokurori për 20 persona, ish-drejtues dhe punonjës në strukturat e këtij dikasteri dhe Policisë së Shtetit, të cilët i konsideron përgjegjës për një dëm prej qindra mijëra dollarësh shkaktuar buxhetit të shtetit.
Ministria e Brendshme bën të ditur se nga auditimi i kryer në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorinë rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit, Qendrën e Shfrytëzimit dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit (QSHAMT), Njësinë Rajonale të Policisë Rrugore Tiranë kanë rezultuar shkelje të shumta ligjore, si pasojë e të cilave është shkaktuar një dëm i madh ekonomik, pa përfshirë vlera të tjera të konsiderueshme që kanë kaluar për vlerësim dhe inspektim financiar nga Ministria e Financave.
Nga Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës, të dashjes dhe bashkëpunimit” janë dërguar për ndjekje penale 5 persona, ish-drejtues dhe anëtarë të Njësive të Hartimit të Dokumenteve.
Ndërkohë nga Qendra e Shfrytëzimit dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit Tiranë (QSHAMT) janë dërguar për ndjekje penale 6 persona, Për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës, të dashjes dhe bashkëpunimit”. Këta persona janë përgjegjës për keqmenaxhimin në adminstrimin e mjeteve të transportit, mos ruajtjen dhe dëmtimin e këtyre mjeteve me pasoja financiare në buxhetin e shtetit, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit.
Mësohet se nga Drejtoria e Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit (DPRMSH) janë dërguar për ndjekje penale 3 persona. Ata janë përgjegjës për mos dokumentimin e një sasie të konsiderueshme skrapi përbërë nga mjetet e transportit gjendje fizike në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit Tiranë, për mos ndjekjen e procedurave ligjore në shitjen e automjeteve, në ankandet publike të zhvilluara në DRRMSH dhe evadimin e sasisë së skrapit të përfituar nga automjetet e vlerësuara për jashtë përdorimit, si dhe për dëmtimin e dy automjete të sekuestruara dhe të kaluara në përdorim të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit (DPRMSH), të cilat kanë kaluar për skrap në vitin 2013, pa nxjerrë përgjegjësitë për dëmtimin e tyre.
Sipas Ministrisë së Brendshme, nga Njësia Rajonale e Policisë Rrugore Tiranë, janë dërguar për ndjekje penale 5 persona, të cilët janë përgjegjës për mos zbatimin e rregullave të dorëzimit të mjeteve në afat, me pasojë dëmtimin e mjeteve dhe humbje të vlerave financiare në buxhetin e shtetit.
Ministria e Brendshme bën me dije se ka kallëzuar penalisht Hysni Burgajn, Ram Oruci, Petrit Cercizi , R.Oruci ish-drejtor i shfrytëzimit e administrimit të mjeteve, Fatos Kokalarin, Ali Allaraj, Genc Peka, Luan Malin ish-drejtor i Drejtorisë se Rezervave, F.Kokalari, Ali Allaraj Genc Peka, 3 ish-shefat e Komisariateve Rrugorë. Kallëzimi penal edhe për Baftjar Hadushin ish- shef seksioni.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





